Kur është i rrezikshëm Edi Rama për shtypin?

Nga Mero Baze

Edi Rama është arrogant me gazetarët. Pothuajse me të gjithë. Është një zakon, që vjen nga fakti që ai është në politikë, pasi ka kaluar përmes publicistikës së tij të suksesshme dhe agresive. Pasioni i tij për t’u gricur me ta është gati si gëzim foshnjarak.

Por, ka një teprim në debatin që po merr kot më kot, lidhur me atë që e quajnë incident me gazetaren Erisa Zykaj. Erisa është një nga gazetaret tona të mira. Unë kam pasur fatin ta kem për rreth 5 vite si gazetare të gazetës TemA nga Brukseli. Ajo është një raportuese korrekte dhe gërmuese në pyetjet e saj. E njoh mirë dhe i kuptoj emocionet e saj, por duhet të jemi seriozë të mos e keqpërdorim atë politikisht, për shkak të huqeve të Edi Ramës.

Nëse shikon videon që transmeton vetë ABC, nuk kemi ndonjë fyerje të Edi Ramës ndaj saj. Kemi një replikë të tij lidhur me saktësinë e përkthimit, çka është relative. Tek pjesa e dytë, ku po spekulohet se ai nuk i është përgjigjur pyetjes për krimin, në fakt ai është përgjigjur, por ka bashkuar pyetjet e të dy gazetareve dhe pastaj është përgjigjur.

I vetmi debat që mund të bëhet nuk është në këtë rast persekutimi i Erisës, se nuk shikoj ndonjë persekutim këtu, por huqet e Edi Ramës për t’u gricur me gazetarët. Kush mendon që Edi Rama ia ka bërë Erisës për inat, se është gazetare e Aleksandër Frangajt, mund të na bëjë për të qeshur, pasi Edi Rama rri nga mëngjesi në darkë me Aleksandër Frangaj, për të mos thënë që ky i fundit mund t’i tërheqë vërejtje Erisës pse e bën të madhe këtë punë.

Por, për t’u çliruar nga ky kompleks i gricjes dhe opozitarizmit me cic-mice me Edi Ramën, shikoni intervistën e fundit të Edi Ramës me Rudina Xhungën, e cila konsiderohet mike e tij personale, e afërt me të politikisht dhe një media po ashtu luajale me të. Po të isha në vend të Rudinës, mund ta kisha lënë dhe gjysmë intervistën dhe të çohesha, pas aq shumë agresiviteti dhe gricjesh të tij me pyetjet e saj, vlerësimin e pyetjeve dhe debatet gati fyese. Shikoni më tej si sillet me Fevziun, Ballën, Eni Vasilin apo këdo tjetër. Është i njëjti. Nuk ka ndryshuar qyshkurse ka hyrë në politikë dhe nuk na ngeli ai dialog thuajse bosh me Erisën, për të ngritur një furtunë në gotë rreth tij.

Edi Rama nuk është armik i lirisë së medias pse gricet me gazetarë. Ai është një huq i tij, një dimension që vjen nga raporti i tij i hershëm me gazetarinë dhe përballja me të kundërtit e vet në media. Pasioni i tij për fjalën e shkruar dhe të folur, përkujdesja e tij regjisoriale në komunikimin publik, prodhon tek ai një nervozizëm të vazhdueshëm, kur nuk gjen gazetarë të shkruajnë si ai, apo kur nuk përballet me vizionin regjisorial që ai ka për një konferencë shtypi, në pyetjen e shkujdesur të një reporteri.

Edi Rama është i rrezikshëm për lirinë e shtypit, kur bën paqe me median, kur bëhet mik me pronarët, kur pronarit të Erisës, atij që i jep asaj rrogën në Bruksel, i ka dhënë leje për pallate 15 katësh tek stadiumi “Qemal Stafa” dhe e ka lejuar të shtojë 6 kate tek “Liceu Artistik”, kur e ka lejuar të pushtojë Kinostudion dhe të rindërtojë atje me lejen e tij, kur i ka dhënë leje të kthejë fushat e futbollit në një fshat turistik në Golem në vila për vete, e dhjetra raste të tjera, që dëshmojnë mekanizmat me të cilat ai kap mediat dhe bëhet i rrezikshëm. Edi Rama nuk është i rrezikshëm pse “shahet e grihet” me Rudina Xhungën, por bëhet i rrezikshëm nëse e kthen qeverinë në servis për pronarët e Top Channel. Ai nuk është i rrezikshëm pse zihet me Eni Vasilin, por nëse i hap rrugë Irfanit për biznese që konvertohen në mbështetje politike. Pra, Edi Rama nuk është i rrezikshëm kur përballet me gazetarët, por kur puthet me pronarët. Nëse doni ta luftoni atë, luftojeni në këtë pikë. Për aq sa i ka thënë Erisës dhe aq sa nuk i ka thënë, nuk ka asnjë rrezik as për lirinë e medias as për Erisën dhe as ndonjë gjë të re për Edi Ramën.

Por, meqë jemi tek ABC dhe tek liria e saj editoriale, duhet t’u kujtoj një rast të dhimbshëm, të pangjashëm në botë. Më 21 janar 2011, Sali Berisha hapi zjarr mbi tavolinën ku qëndronin gazetarët që raportonin. Aty ishte dhe gazetari i ABC News, Fatos Mahmutaj. Plumbi i kaloi 2 centimetra larg kokës dhe i përshkroi dorën tej e tej. ABC News jo vetëm që nuk bëri lajm për vrasjen e tij, por e pushoi nga puna pse ai guxoi të thoshte se ishte plagosur. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e kërcënoi publikisht në orën 19 e 30 minuta të datës 21 janar, duke thënë se një gazetar tentoi të thotë që jam plagosur, por për fat të mirë e tërhoqi deklaratën. Në fakt, deklaratën tek Berisha, e kishte tërhequr Sandri. Fatosi u largua dhe u përndoq derisa përfundoi në Bruksel si azilant politik. S’kam parë askënd nga këta që po ngrejnë ujin përpjetë sot, të fliste atëherë për Fatosin. Është ish-gazetar i ABC-së, jo i fyer, por i qëlluar për t’u vrarë. I zbuar dhe i kërcënuar për të mos folur nga i njëjti pronar, por me padron Sali Berishën. Tani që ka ndërruar padron dhe ka gjetur këtë tjetrin, që ka hobi të gricet me gazetarët, me sa duket u kthye dhe liria e vërtetë e të ankuarit ndaj kryeministrave. Kjo është një ditë lirie për mediat dhe të punësuarit e Frangajt. Gëzojeni, se s’keni pas shans as të mërziteshit kur u rrihte Sali Berisha. Madje as kur u qëllonte me plumb në tavolinën e punës.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s