Kalimi në TV Dixhitale, Shqipëria dështon para Evropës

TIRANE- Shqipëria rrezikon një krisje politike me Bashkimin Europian duke mos respektuar datën 17 qershor 2015 kur, sipas një një marrëveshjeje europiane, sipas nje vendimi të qeverisë dhe sipas një ligji të parlamentit të votuar në vitin 2013, të gjithë televizionet shqiptare duhet të kalojnë nga sistemi analog në atë dixhital. Eshtë i ashtuquajturi “switch-off” i realizuar tashmë nga të gjitha vendet europiane, përveç Shqipërisë.
Një vonesë shumë e rëndë, që për shkak të gabimeve të pashpjegueshme të bëra në këto vitet, rrezikon edhe t’i kushtojë arkave të Shtetit një faturë prej dhjetëra milionë eurosh. Pa llogaritur reagimet e pritshme të Bashkimit Europian dhe të vendeve fqinje.

Kanalet
Dosja delikate e dixhitalizimit e të gjithë kanaleve televizive shqiptare, duke përfshirë Televizionin e Shtetit, menaxhohet nga ministrja për Inovacionin Milena Harito, e cila deri më sot nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë asnjë nga nyjet kryesore të problemit, duke filluar nga shpërndarja e  kanaleve televizive të caktuara nga autoriteti ndërkombëtar në Gjenevë për televizione dixhitale, por që konsiderohet si numër i pamjaftueshëm nga operatorët shqiptarë.

Që në vitin 2006 Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU), enti që nga Gjeneva koordinon të gjitha transmetimet në Europë, i ka caktuar çdo vendi frekuencat për të përdorur me kalimin nga sistemi analog në atë dixhital. Një kalim i kryer tashmë nga të gjithë vendet europiane, përveç Shqipërisë që as nuk e ka filluar. Në vitin 2006 Gjeneva i caktoi Shqipërisë shtatë rrjete kombëtare dixhitale (mux) duke ditur se në çdo rrjet mund të transmetojnë 12 televizione high definition: pra në total 84 televizione.

Ndërkohë kushtet kanë ndryshuar, por ministria e Inovacionit me sa duket e ka marrë vesh vetëm tani që në të vërtetë rrjetet kombëtare të përdorueshme kanë zbritur në 5, për një total pra prej 60 televizionesh. Një numër tmerrësisht i vogël nëse konsiderohet që vetëm televizionet analoge në Shqipëri janë më shumë se 100.

Ndryshimet ne numeri e rrjete kombetare
Po pse nga 7 rrjete kombëtare në dispozicion u zbrit në 5? Fillojmë nga një shpjegim i thjeshtë: një rrjet kombetar është bazuar mbi 11 frekuenca të ndryshme (nga frekuenca 22 deri tek frekuenca 69 UHF) , një për çdo prefekturë (teknikisht quhen “allotmenti”). ITU në fakt ka vendosur që duke filluar nga fundi i 2015 disa frekuenca të përdorura deri tani për televizione (gjithë ato nga 60 deri 69 UHF) duhet t’ua shesin  kompanive celulare për t’i përdorur për 4G: një shans i mirë edhe për shtetin shqiptar për të arkëtuar lekët. Ky kalim quhet “dividend dixhital 1” .

Kështu, në pamundësi për të përdorur frekuenca nga 60 deri në 69 UHF rezulton që njërit nga 7 rrjetet kombëtare televizive të vendosur nga Gjeneva për Shqipërinë, i mungon frekuenca për të mbuluar prefekturat e Lezhës dhe Vlorës, ndërsa në rrjetin kombetar të dytë bien frekuenca për të transmetuar në Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Vlorë.

Si mund të lihet një pjesë e Shqipërisë (duke përfshirë edhe kyreqytetin) pa mbulim të plotë të sinjalit televiziv?  Problemi nuk ka dalë tani, përkundrazi, është i njohur prej shumë vitesh pas diskutimit në nivel nderkombetar ka filluar nga 2007. Por autoritet shqiptare me sa duket e kanë injoruar.

Si është e mundur që nga viti 2006 deri më sot nuk është gjetur akoma një rregullim? Si është e mundur që prej një viti e gjysëm kur ka marrë drejtimin e dikasterit, Ministria e Inovacionit nuk ka zgjidhur ende nyjen e kalimit në dixhital, edhe pse e di që është një detyrim në nivel ndërkombëtar dhe një detyrim i parashikuar edhe nga ligji?

Çfare po behet
Përveç disa mbledhjeve shpesh të tensionuara dhe asnjë propozimi konkret, nga ana e ministrisë së Inovacionit nuk  ka ardhur asnjë zgjidhje (as politike, as teknike), ndërkohë që  për të gjithë televizionet duket e qartë se koha në dispozicion tashmë është tepër e pakët për të zgjidhur tekinikisht problemin pa prishur afatin ndërkombëtar të 17 qershorit. Deri sot ministria, paravërsisht nga vonesa, nuk ka vendosur ende të kërkojë nga ITU një shtyrje të afatit.

Deri më sot, jo vetëm që mungon një marrëveshje me operatorët privatë se si do të përdoren frekuencat dixhitale në dispozicion, por nuk është bërë asgjë edhe për të përgatitur opinionin publik shqiptar në kalimin delikat: Në vendet e tjera europiane kalimi nga sistemi analog në sistemin dixhital u parapri nga një fushatë edukimi dhe sensibilizimi që zgjati shumë muaj dhe u shoqërua dhe nga ndihma ekonomike për të përballuar koston ekonomike për teknologjinë e domosdoshme për të ndjekur transmetimet e reja dixhitale. Edhe ligji shqiptar parashikon një fushatë të tillë, por në fakt fonde të vjetra janë djegur, dhe askush nuk ka vendosur fonde apo alternative te reja.

Dixhitalizimi e RTSH me nje tender-skandal
Për të mos folur për vonesën e pabesueshme të grumbulluar në procedurat për dixhitalizimin e Televizionit shtetëror, të bllokuara ende dhe sot rreth një tenderi skandaloz prej 23 milionë eurosh të organizuar në 2013 nga ministri Genc Pollo dhe që ministrja Milena Harito ka vazhduar të menaxhojë me të njëjtin konfuzion, duke venë arkën e shtetit përballë rrezikut për të paguar miliona euro kot, për pajisje tashmë të panevojshme (apo të gabuara) dhe sidomos pa mundur të nisë akoma ndërtimi i impianteve, që kërkojnë të paktën dy vjet kohë.

Në fakt, po në këto ditë vazhdojnë negociata të ndezura me kompaninë gjermane Rodher & Schwartz që pas një seri të çuditshme procesi gjyqësor dhe negociata private ka arritur ta fitojë tenderin për ndërtimin e dy rrjeteve dixhitale të RTSH që kishte shpallur qeveria Berisha mes akuzave për korrupsion të ngritura nga opoizta e atëhershme (sot në qeveri)  pikërisht dy muaj para zgjedhjeve. Por paqartësia nga ana e ministrisë, disa qëndrime të RTSH dhe pretendime të tepërta nga ana e kompanisë private kanë zvarritur deri më sot procedurat, që vazhdojnë të jenë pezull. Një situatë tejet e rënduar nga një vakuum disa mujor brenda AMA-s, që në fakt është insitucioni publik që duhet të drejtonte bashkë me ministrinë procesin e dixhitalizimit të vendit.

Deri më sot, ende nuk është i qartë as fati i disa dhjetra operatorëve privatë që janë detyruar të fikin transmetuesit analogë, por që nuk kanë leje për të ndezur ato dixhitale dhe rrezikojnë mbylljen për mungesë të kanaleve në dispozicion.

Nëse në të gjithë botën kalimi nga analog në dixhital ka shënuar një rritje të pluralizmit dhe një shumëfishim të numrit të kanaleve televizive në disposicion të publikut, në Shqipëri ky proces është komplet keqmanaxhuar nga gjithë qeveritë nga 2006 e deri më sot, dhe me shumë mundësi do të prodhojë një fenomen krejt të kundërt: mbylljen e shumë televizioneve private dhe përqëndrimin e fuqisë mediatike në dorë të disa pak monopolistëve.
 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s