Mediat shqiptare, këta kirurgë plastik

Nga Gëzim Mekuli

Mediat për kombin dhe shoqërinë janë shpresë dhe shpëtim, por njëkohësisht rrezik dhe kërcënim serioz ndaj tij. Mund të parakuptohet se çfarë shtylle e fuqishme mund të jetë kjo për një sistem politik. Mediat mund të jenë ndërtuese të shoqërive dhe të kombeve demokratike, por jo rrallë ato janë shkatërruese dhe varri i tyre. Dikush në hapësirën tonë edhe mund të mendojë se të drejtat e njeriut nuk kanë aktualisht edhe aq rëndësi, se është zbehur vlera e tyre! Prandaj, shumica e njerëzve janë të deprimuar, të pafuqi e të pashpresë. Shqiptarët, para së gjithash, do të mendonte dikush, janë të interesuar të fitojnë dhe të sigurojnë bukën e gojës, të kenë një mirëtrajtim shëndetësor, t’u sigurojnë fëmijëve edukimin dhe shkollimin cilësor. Argumentet e tilla për një periudhë të caktuar kohore nuk ishin të pazakonshme. Të drejtat e njeriut nuk përbëhen vetëm nga të drejtat politike. Ato, gjithashtu, përbëhen edhe nga të drejtat ekonomike dhe sociale. Por, përvojat tregojnë qartë se atje ku nuk ekziston e drejta organizative, e drejta për të hulumtuar e debatuar, pra aty ku nuk ekziston media objektive, është shumë e mundshme që të mos këtë bukë fare.

Organizata britanike anticensurë, “Article 19”, për këtë problematikë të kohës publikoi një libër. Aty sqarohej se ku mund ta katandisë media një shoqëri: “Starving in Silence” (Të vdesësh në heshtje nga uria). Këtu paraqiten fakte se si heshtja e medias ndaj mjerimit social dhe kriminalitetit “mbyti” me miliona njerëz, si në Kinë, Etiopi, Afganistan, Kolumbi (1959-1961) etj. Në përfundim, mund të themi se përforcimi i regjimit komunikativ është në përparim e sipër dhe kjo do të thotë se zëri i opozitës, dita-ditës, është duke u detyruar të heshtë. Detyrimisht është duke u rralluar shumëllojshmëria e ideve me qëllim të dëgjimit të vetëm një zëri. Mund të mos pajtohen me një përfundim të tillë, e që nuk është as qëllim i këtij shkrimi që të pajtoheni me një mendim, sepse kjo do të na çonte atje ku ne më së pakut dëshirojmë – në propagandë. Mund të mendohet dhe të supozohet se assesi nuk është e mundshme të arrihet monopoli i lajmit dhe i informimit. Mund edhe të përflitet se është fare jashtë realitetit që të bunkerizohet mendimi në shoqërinë tonë informative. Po ashtu edhe mund të argumentohet se te ne mbizotëron pluralizmi mediatik, duke menduar pikë së pari në mediumin e ri, të decentralizuar, siç është interneti.

Por, këtu ka vend për dyshime, për rezerva dhe për ndjenja “jobesnike”. Ja përse e them dhe e mendoj këtë:

  1. Mediat shqipe në ish-Jugosllavi dhe në Tiranë, shpesh “hapen” për ndodhi, gjëra e procese të parëndësishme dhe periferike, përderisa çështjet, ndodhitë dhe proceset e rëndësishme të shoqërisë nuk diskutohen.

 

  1. Mediat e sotme komerciale janë të varura nga numri i lexuesve, i dëgjuesve dhe i shikuesve, e kjo mund të drejtojë atje ku “të gjitha mediat” do të turren që të mbulojnë çështje që për opinionin duken se janë “të popullarizuara e të këndshme”.
  2. Sot kemi një përdorim të formave të ndryshme të propagandës: Si shembull mund të marr “embedded journalism”: Këtu prezantohet informacioni i gazetarëve që ndjekin pas ministrat, kryeministrat, intervistat e kryetarëve, kryetarët si dhe konferencat për shtyp të qeverisë. Këta gazetarë e gazetare përpunojnë fotografi, përpunojnë pyetjet dhe përgjigjet, merren vesh paraprakisht me politikanët se, cilat pyetje lejohen të shtrohen e cilat nuk lejohen fare as të bisedohen. Është kjo pra një gazetari, tejdukshmërisht, e njëanshme dhe në favor vetëm të një pale.

Dhe, problemi tjetër, i përgjithshëm dhe me peshë shumë të madhe, qëndron në atë se situata e re e mediave karakterizohet nga ajo se njeriu takon të njëjtat raste, lajme e ndodhi në të gjitha kanalet e mediave. Publiku, në këtë mënyrë, domosdoshmërisht i nënshtrohet një “porosie mediatike” të paragjykuar dhe, ku, nga ky publik “dëshirohet” që t’i pranoj këto lajme, ndodhi, informata e trajtesa si të “sakta”, të “pakritikuara” dhe si opinione të “përkryera”.  Po e përmblodhëm këtë, mund të konstatojmë se mediat nuk janë më pak ndikuese dhe arenë për propagandën. Përkundrazi, këto janë bërë më të fuqishme, por edhe pranuesit janë bërë më imunë ndaj propagandës. Ja pse e mendoj këtë: A nuk e kemi sot të “instaluar” fjalën politike e djallëzore “kosovarë”? A nuk po dominon sot përemri dhe fjalët politike, “NE” dhe “ATA”, atëherë kur shkruhet e flitet për raportin Shqipëri – Kosovë? A nuk e kemi sot fjalën ideologjike “Kosova multietnike”, në vend të asaj “Kosova multikulturore”? A nuk e kemi sot fjalën përjashtuese “enverist”, për ata që mendojnë ndryshe nga mainstrimi politik i BE-së? A nuk egziston sot fjala gjykuese “komunist”, nëse ti kritikon veprimin dhe opinionin domunies të EULEX-it dhe BE-së? A nuk të trajtojnë si “ekstremist” nëse ti flet, shkruan e mbron bashkimin natyror, logjik e politik të shqiptarëve në një shtet, Shqipëri. Propaganda dhe retorika e mediave “shqipe” po lë gjurmë tek veprimi dhe mendimi ynë. E, në ç’shkallë shqiptarët janë të vetëdijshëm për këtë “kirurgji plastike”, mbetet të shihet.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s