Liria e medias, një iluzion

Nga Luan Kurti

l-kurtiKjo temë është jo pak e rrahur. A kemi liri të medias?… Nuk dua t’i referohem statistikave, raporteve ndërkombëtare që në kohë të ndryshme kanë paraqitur shifra të diskutueshme. Sipas meje liria e mediave në Shqipëri ka ardhur duke u përkeqësuar vit pas viti. Nëse do konsiderojmë faktin, sesa media i shërben të vërtetës, publikut… Ka teori të komunikimit që e trajtojnë median si biznes, ku pragmatizmi është themelor. Pra i shërben të vërtetës që shitet, ku “lajmi i mirë është lajmi i keq”, si çdo produkt tjetër. Nga pikëpamja sociale kemi një qasje krejt tjetër, ku preferohet një ndërthurje midis nevojës komunitare dhe asaj individuale, apo grupore. Kam parasysh këtu interesat e biznesmenëve apo trusteve. Një problem i madh sot në Shqipëri është se ky biznes (i mediave) nuk është aspak i pastër, në kuptimin që është me bilanc negativ. Dhe kjo ka dëmtuar konkurrencën e ndershme dhe ka favorizuar produktin nën kosto. Media në përgjithësi mbahet me të ardhura të tjera dhe përdoret më tepër si mjet presioni apo armë për realizimin e qëllimeve të caktuara financiare apo politike. Apo më saktë politika dhe media konvergojnë si plotësuese të njëra-tjetrës. Dhe në këtë fushë ata që kanë tentuar të korrin “sukses”, duke ju përgjigjur profesionalisht kërkesës së publikut kanë falimentuar apo janë në grahmat e fundit. Vetë trupa e gazetarëve është e diskriminuar, nga pagat, nga mungesa e sigurimeve (punë në të zezë), dhe nga trysnia e modifikimit të së vërtetës. Njësoj si kompanitë që paraqesin dy bilance, një për shtetin (pronarin) një për vete (në ndërgjegje). Sipas klientelizmit politik dhe benefiteve që kanë përfituar, mediat sulmojnë një krah dhe mbrojnë me fantizëm krahun tjetër. Si të thuash e shohin të keqen në projeksion, me apo pa xhamin optik. Përsa i përket disa mediave kryesore të shkruara, kemi arritur deri në pikën ku edhe komentet poshtë artikujve (sidomos editorialeve) duken të porositur, të fabrikuara. Janë gati të njëjtët komentues që si në lojën e kungulleshkave me emra episodikë, hedhin e presin fjalë që janë në linjën e vetë gazetës. Opinionet kundra ose fshihen nga moderatorët, ose u vihet një farë caku mosdëmtimi. Spontaniteti pothuaj ka humbur dhe e vërteta është kthyer në iluzion. Njëlloj si të dehesh me gotën bosh. Nëse ka shprehje të sinqeritetit komunikativ, të pacensuruara, kjo rezulton në rrjetet sociale. Megjithëse edhe kjo është relative. Berisha u shpreh se në fejsbukun e tij kishin ndërhyrë. Po qe se ankohet ky, atëherë vajmedet! Nuk po flas këtu për faqet e politikanëve të cilat monitorohen nga njerëz të caktuar dhe imazhi (foto) nuk i përgjigjet komentuesit. Por nuk do jetë e largët dita kur do ta pushtojnë edhe këtë hapësirë duke na i kthyer në fushë të shkretë. Sepse këto rrjete janë bërë makthi i oligarkëve në gjithë globin. Kanë mobilizuar turmat e pakënaqura nga kriza dhe rënia e standardit të jetesës, dhe kanë ribërë revolucionet demokratike. Trendi evropian dhe jo vetëm, është trendi i fejsbukut dhe tuiterit. Berisha si “njeriu- shtet” që disponon informacion të padiskutueshëm, paralajmëroi se fejsbuku do krijojë Cipras-in shqiptar. Njësoj si paralajmëroi për avionët e drogës që qarkullonin në qiejt shqiptar dhe njëri sosh u gjet me rrotë të hequr në Divjakë. Mund të jetë dhe profet i rremë, si ata që shohin filxhanët e kafesë dhe bëjnë parashikime… Por në fakt po të ballafaqosh lajmin që shitet në mediat (e shkruara apo vizive) dhe atë në rrjetet sociale, janë në disbalancë, në mospërputhje të plotë. Ky hendek po rritet frikshëm dhe shikuesi apo lexuesi aktiv po ja lë vendin atij virtualit, që kërkon të ngjashmit e vet për të diskutuar dhe abandonon produktin e gatshëm. Pikërisht mbyllja e rubinetave zyrtare për lajme të freskëta, ka bërë që operatorët mediatikë të gjuajnë në këto “rezervate” sociale, ku shpesh edhe VIP-at çedojnë. Nga dëshira për t’u bërë sa më të famshëm, si yje kinemaje, dhe të inkurajuar nga një ndjenjë populizmi në rritje. Moderniteti më shumë se e ka zhbërë, e ka theksuar hierarkinë dhe të qenit “friends” është karrota, apo luga bosh; imazhi i pasqyruar dhe jo objekti i vërtetë. Është çështje makijazhi, forme pa përmbajtje! Na kanë dhënë një lloj qetësuesi, opiumi, ku secili syresh paraqet një rezistencë të vetën, një shkallë dehjeje të ndryshme. Tërësisht jemi “vozitës” jashtë kontrollit, ku më çapkënët “të çmendurit”, paraqiten si etalon të lirisë së shprehjes. Konsiderojeni “zonë e lirë”, një lloj kombinati ku çdo thashethem shndërrohet në ngjarje dhe eveniment. Politikanët mu si akrepat helmues apo gaforret kanë shtrirë tentakulat dhe në këto rrjete sociale, kanë marrë gjithë audiencën. Kanë prishur komunikimin “live” dhe kanë imponuar shtampat. Shërbëtorët e tyre parafytyrojini si agjent burse që shesin dhe blejnë aksione pa hesap. Çdo e vërtetë apo shprehje opozitarizmi asgjësohet në embrion. Liria e supozuar është shndërruar në një kafaz i artë, një lloj ene me gyp të ngushtë ku asnjë “sqepgjatë” nuk mund të gjerb ushqim bio.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s