Gafa e ministres Harito, detyron RTSH të pranojë kushtet e Pollos

harito-minNga Genc Kondi

TIRANE- Një nxitim i ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, po sjell pasoja të rënda për procesin e dixhitalizimit të transmetimeve televizive në Republikën e Shqipërisë. Dita-ditës që koha kalon, duket gjithnjë e më i vështirë realizimi i afateve për dixhitalizimin, për çka shteti shqiptar është angazhuar edhe pranë BE-së se do të përfundonte më 17 qershor të këtij viti.

Por, procesi rezulton i bllokuar sërish, këtë herë për faktin e thjeshtë se pala shqiptare nuk pranon të nënshkruajë një projekt-kontratë, të paraqitur nga pala kontraktore e huaj, që do të implementojë projektin.

Gjyqi
Në nëntor 2014, ministrja e Inovacionit Milena Harito, që mbulon këtë sektor, deklaroi në media publikisht se qeveria ishte tërhequr nga procesi i apelimit të një vendimi të marrë nga Ekzekutivi ‘Berisha’ për të mos humbur më kohë. Duke e tërhequr rekursin, automatikisht vendimi i parë merrte formë të prerë dhe shpallte zyrtarisht kompaninë Rohde & Schwarz, me bazë në Austri, si fituese të tenderit për dixhitalizimin.

Por Harito deklaroi, nga ana tjetër, se qeveria kishte hyrë në negociata me kompaninë, pasi nuk e dispononte të gjithë fondin e duhur.
Ka qenë ky vendim, që faktikisht e ka shtyrë procesin në një bllokim. Kompania fituese, që kishte premtuar se do t’i rishikonte kushtet e kontratës po të tërhiqej pala shqiptare nga Apeli, nuk e ka bërë një gjë të tillë, por ka rikonfirmuar qendrimet e saj të para negociatave, duke pretenduar zbatimin e kushteve shumë të favorshme të përcaktuara që nga 2013 kur ministria drejtohej nga Genc Pollo, që ka shpallur tenderin.

Kontrata
Tani, kompania zyrtarisht fituese e tenderit ka paraqitur pranë autoriteteve shqiptare një draft kontratë, ku paraqet kushtet e veta për të realizuar projektin.
Ja cilat janë këto kushte:
Së pari, kompania propozon që Radiotelevizioni Shqiptar, i cili dihet që nuk ka 23 milionë euro gati për të paguar shpejt Rohde & Schwartz për shërbimin e kryer, duhet të marrë një kredi bankare. Kjo kredi duhet të merret në një bankë të njohur e të sigurtë tregtare. Për më tepër, kërkohet që qeveria të japë një garanci për të shlyer ajo detyrimin, në rast se RTSH nuk ja arrin dot një gjëje të tillë. Pra, me garanci shtetërore.

Së dyti, kompania kërkon që pala shqiptare, konkretisht Radiotelevizioni Shqiptar, të paguajë vetë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar si dhe taksat doganore për materialet që do të importohen nga Rohde & Schwartz për interes të realizimit të projektit.

Së treti, subjekti i huaj bën edhe një ndarje të pagesave. Si fillim, RTSH duhet të paguajë paradhënie 3.23 milionë euro brenda dy javësh nga nënshkrimi i kontratës. Pastaj, shuma e mbetur prej 18.33 milionë eurosh do të paguhet nëpërmjet një “formule”, sipas së cilës 65 për qind e faturave duhet të paguhen nga RTSH në momentin kur një pajisje e caktuar vendoset në magazinat e Radiotelevizionit Shqiptar, ndërsa 35% kur ajo të vendoset në vendin e parashikuar (fjala është për antenna, ripetitorë, etj).

Së katërti, kompania e huaj duhet të lejohet që, nga 1 janari 2018 të rritë çmimet e pjesëve të këmbimit me një ndryshim të pranuar prej 5 përqindësh në një vit.
Në këto kushte, Rohde & Schwartz pranon të fillojë punë për të mbuluar me teknologji dixhitale transmetimet televizive për 85% të popullsisë në fazën e parë dhe 96.5% të saj në përfundim të projektit.

Kushtet
Kompania austriake ka përfituar maksimalisht nga heqja dorë e qeverisë shqiptare prej rekursit në Gjykatën e Apelit. Radiotelevizioni Shqiptar, nëpërmjet një shkrese drejtuar ministres Milena Harito, kishte bërë me dije se ai, me të ardhurat e veta, nga taksa televizive dhe fondet buxhetore, që konsiderohen si të ardhura të sigurta, mund të garantojë projektin vetëm në rast se palët bien dakord për një shtyrje të pagesave për fazën e dytë të projektit në një periudhë 10-vjeçare, nga viti 2015 deri në vitin 2024.

Problemi i dytë kishte të bënte me faktin se çdo material e pajisje që hyn në Republikën e Shqipërisë është subjekt i pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe taksave të ndryshme doganore. Të gjitha këto, në total, do të përbënin një shumë prej 4 milionë eurosh, sipas llogaritjeve të kompanisë fituese të tenderit për dixhitalizimin. RTSH nuk ka qenë dakord të paguajë këto detyrime.

Por, për ministrinë e Financave, legjislacioni fiskal në fuqi nuk parashikon përjashtime nga taksat dhe tatimet për furnizime mallrash, edhe në rastin kur fjala është për projekte të institucioneve buxhetore. Pra, barra e pagesës së taksave, që është një kosto shtesë, i bie sërish palës shqiptare.

Ndërkohë, kërkesa për të marrë pagesën e 65% të faturave të mallit, në momentin ku ai mbërrin në magazinë, është më se absurde, po të mendosh se paradhënia është paguar nga pala shqiptare (3.23 milionë euro) plus taksave TVSH e doganore. Ky do të ishte një kusht tejet favorizues, ndërkohë që logjika ta don që pagesa të kryhej në momentin ku pajisja është montuar, provuar dhe dorëzuar tek autoritetet kontraktore në gjendje pune dhe me garanci.

Realizimi
Në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet shqiptare, që duhet të vijë nga niveli qeveritar, duke qenë se RTSH nuk disponon shifrën e kërkuar, puna ka mbetur sërish e bllokuar.
Harito nuk pa vendos të nënshkruajë kontratën. Por, tashmë u mbushën plot dy vjet që nga koha kur, në mars 2013, qeveria shqiptare thirri një tender për një kontratë 23 milionë euroshe për ndërtimin e infrastrukturës së transmetimeve dixhitale. Tenderi hyri në ngërçin e parë kur Genc Pollo, ministër i Inovacionit në atë kohë, vendosi të anulojë garën pasi qe kryer. Njëra prej kompanive u ankua në gjykatë dhe gjykata e Tiranës në dhjetor 2013 e shpalli kompaninë fituese.
Pavarësisht se fikja e transmetimeve analoge dhe kalimi te transmetimet dixhitale është një proces që ka nisur nëpër botë që prej një dekade, autoritetet shqiptare përpunuan planet për kalim në vitin 2012, kur u vendos afati final për fikjen e analogut në Shqipëri për në qershor 2015.

AMA: Procesi i zvarritur, s’ka nisur hallka më e rëndësishme
Sipas drejtuesve të AMA-s, arritja e afatit ligjor për kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike është një sfidë mjaft e vështirë, pasi procesi shfaqet tejet i zvarritur dhe hallka më e rëndësishme e tij, ndërtimi i rrjeteve numerike të RTSH, nuk ka filluar ende të realizohet. Kjo ka ardhur si rezultat i zvarritjes së procesit të tenderimit dhe aftësive paguese të RTSH për ndërtimin e rrjeteve numerike.

Ata janë ankuar se gjatë muajve të fundit është komunikuar në mënyrë të përsëritur nevoja për koordinim më efikas të punës me RTSH, por nuk ka pasur reagimin e duhur për përmbushjen e këtyre angazhimeve të përbashkëta nga ky institucion. Nga plani kombëtar i frekuencave, me lirimin e brezit Digital Divident 1 për telefoninë mobile, rezultojnë aktualisht të lira pesë rrjete kombëtare, nga të cilat dy i janë caktuar RTSH. Si rrjedhojë, mbeten tre rrjete kombëtarë dhe dy rrjete të tjerë në kufijtë e rrjeteve kombëtare.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s