Liria e shprehjes dhe interneti- të drejta dhe përgjegjësi

Nga: Igli Totozani

Nuk ekzistojnë më barriera mes jetës virtuale dhe asaj reale. Ajo që ndodh on-line, gjithnjë e më tepër po ndikon në botën jashtë internetit, në jetën e përditshme dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Pikërisht për këtë arsye është e nevojshme të tregohet kujdes për një raport korrekt mes formave të reja të komunikimit social dhe dinjitetit personal dhe të të tjerëve.

Natyrshëm që në shumë raste si qytetar, si Avokat i Popullit, por edhe si jurist në profesion, kam menduar se ka qënë pikërisht informimi on line, mjeti që ka ndihmuar identifikimin e situatave që kërkojnë ndërhyrje për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky dimension i pazëvendësueshëm i pushtetit të informacionit në internet është rritur dhe fuqizuar së tepërmi tashmë me shtimin e përduesve të rrjeteve on-line. Por a ndodh gjithmonë që përdoruesit e internetit të gëzojnë lirinë e shprehjes, pa cënuar dinjitetin e tjetrit?

Prej kohësh vërej me shqetësim se liria e shprehjes e ushtruar përmes mjeteve të komunikimit global, po kthehet shpesh në një mjet abuzimi dhe cënimi të të drejtave dhe lirive të ligjshme të qytetarëve. Janë jo të pakta rastet kur përmes internetit, përdoruesit e tij, po keqpërdorin lirinë e shprehjes dhe lehtësinë që të jep e drejta për akses në internet, për të denigruar dhe linçuar individë publikë ose jo, duke cënuar rëndë dhe në mënyrë të pariparueshme privatësinë dhe të drejta të tyre, themelore. Të gjithë janë dëshmitarë të këtij realiteti që edhe ditët e fundit ka patur “viktimat” e tij të radhës. Në rolin e Avokatit të Popullit, si mbrojtës dhe garant kushtetues i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në kohën kur interneti sipas studiuesit të komunikimit Marshall McLuhan, e ka kthyer botën në një fshat global, pyetja që ngre është nëse, ky i fundit ndihmon realizimin e plotë të lirisë së shprehjes dhe në ç’masë ndikon në cënimin e të drejtave të tjera të njeriut?

Liria e shprehjes është një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe një gur themeli, mbi të cilin ngrihet vetë ekzistenca e një shoqërie demokratike. Si e tillë ajo është afirmuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në një sërë aktesh të rëndësishme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Amerikane e të Drejtave të Njeriut dhe Karta Afrikane e të Drejtave të Njeriut dhe të Njerëzve. Megjithëse, Kushtetuta nuk jep një përkufizim dhe kuptim të përgjithshëm të kësaj lirie themelore, në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo çështje rregullohet në paragrafin e parë të nenit 10, ku ndër të tjera thuhet se; “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë”. Në këtë kuptim, liria për të dhënë informacion dhe mendime është një komponent shumë i rëndësishëm i lirisë së shprehjes, për jetën politike dhe strukturën demokratike të një vendi, që sidoqoftë njeh kufizime të cilat bazohen në censurën paraprake të publikimit të informacioneve që cënojnë të drejta të tjera të njeriut.

Aksesi në internet tashmë konsiderohet si një e drejtë themelore e njeriut, e lidhur ngushtë me lirinë e shprehjes, ndaj edhe në këto kushte, vendi ynë ka garantuar me ligj aksesin në internet. Por edhe ky akses mund të kufizohet, për të mbrojtur sigurinë kombëtare, nxitjen e terrorizmit, shëndetin publik, apo në gjendjet e emergjencave civile, për ndalimin e materialeve me përmbajtje kriminale (pornografia jo adulte), raciste, ksenofobike dhe të gjuhës së urrejtjes, mbrojtjen e të dhënave e personale, privatësisë etj. Kufizimi i aksesit, do të thotë kufizim i përdorimit të internetit nga ana e përdoruesve të tij, si në kuptim të marrjes së informacionit që mund të gjendet i ruajtur në të, ashtu edhe të publikimit të informacionit individual përmes tij.

Konteksti i kufizimit diskutohet ndër të tjera,kur në plan të parë vjen respektimi i jetës private dhe familjare si një e drejtë themelore e njeriut, e afirmuar fuqishëm në kohët moderne dhe e lidhur ngushtë me konceptet e privatësisë, autonomisë individuale, dinjitetit, individualitetit dhe integritetit. E drejta për jetë private dhe familjare, sikurse liria e shprehjes, mbrohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisëdhe një sërë aktesh ndërkombëtare, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Punëtorët Migrantë, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Fëmijës, dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut etj. Padyshim një rol të pazëvendësueshëm në kuptimin dhe mbrojtjen e kësaj të drejte, ka luajtur dhe luan Gjykata e Strasburgut, që megjithëse nuk ka ofruar një përkufizim të qartë dhe të saktë të asaj që nënkuptohet me jetën private, mban qëndrimin se nocioni i jetës private është shumë i gjerë dhe përfshin një sferë në të cilën çdo individ mund të zhvillohet lirishtdhe të përmbushë personalitetin e tij, si në raport me të tjerët dhe me botën e jashtme.

Një aspekt i rëndësishëm i çdo regjimi të mbrojtjes së jetës private dhe familjare është mbikqyrja që në më të shumtat e vendeve ku është në fuqi një legjislacion specifik për këtë të drejtë, ushtrohet nga një strukturë organesh që mbikqyrin zbatimin e këtij legjislacioni. Si drejtues i një institucioni të pavarur kushtetues, të krijuar për mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, përfshirë këtu lirinë e shprehjes dhe të drejtën për jetë private dhe familjare, vlerësoj së realiteti i krijuar tashmë në raportin mes këtyre të drejtave dhe përdorimit të internetit kërkon një rregullim të nevojshëm ligjor, për të siguruar pikërisht përmbajtjen e rregullt të informacioneve të gjendura, apo publikuara në faqe të ndryshme të internetit.

Një bazë normuese adekuate, si kufizimligjor, për rregullimin e përmbajtjes përkatëse në internet, është e nevojshme në Shqipëri dhe duhet përcaktuar në përputhje me nenin 17, të Kushtetutës, por edhe me nenin 10, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke respektuar kriteret e vendosura në to. Shumë vende e kanë rregulluar këtë aspekt, duke bllokuar me ligj aksesin në “ëebsite” që përmbajnë informacione të kundërligjshme, apo të dëmshme, por megjithatë vendi ynë nuk bën pjesë në to. Duke treguar kujdesin maksimal në rregullimin e raportit të brishtë mes lirisë së shprehjes në internet dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të tjera të njeriut, mendoj se është e nevojshme që të evitohet fryma e politikave bllokuese shtetërore për informacionin e gjendur në internet, me impakt serioz mbi lirinë e shprehjes, dhe respektimin thelbësisht të kritereve të kufizimit të të drejtave themelore të njeriut, të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Për më tepër, mendoj se bllokimi i informacioneve të kundërligjshme, apo të dëmshme në internet, përmës kufizimit të tyre, të mos kthehet në qëllim në vetvete, por të vlerësohet si një masë fundore rast pas rasti.

Gjetja e mekanizmave teknikë për bllokimin, apo filtrimin e materialeve “online” është një proces komplementar, i cili detyrimisht duhet të paraprihet nga një bazë e mirë ligjore për kufizimin e lirisë së shprehjes në internet. Kjo masë ka karakter parandalues dhe nuk mund të zëvendësojë sidoqoftë, masat penalizuese që ekzistojnë në legjislacionin tonë penal, në fuqi. Vetëm kështu do të mund të flasim për një “lojë me rregulla”, ku ai që gabon me ndërgjegje, mund edhe të penalizohet, pasi i ka shkaktuar dëm një pale tjetër. Gjithkush që mund të lexojë këtë shkrim besoj se do të ketë reflektimet e veta, duke ngritur pikepyetje të shumta, apo edhe diskutime se si mund të realizohet kjo ndërhyrje.

Unë personalisht në pozicionin tim institucional, por edhe si qytetar i quaj këto rreshta një mesazh përdoruesit e internetit, median legjislatorët dhe për çdo qytetar në këtë vend, për të reflektuar dhe për të kërkuar nga vetja dhe të tjerët, respektimin e lirive dhe të drejtave të gjithkujt, brenda kornizave të shtetit të së drejtës dhe një shoqërie përmbajtësisht demokratike, pa abuzuar me liritë e tyre të garantuara.

 

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s