Transmetimi i fushatës, pse përçahen televizionet?

Nga Vladimir Karaj

 Gjashtë prej televizioneve kryesore në vend njoftojnë se do refuzojnë kasetat nga partitë. Ka një ide që ato të përfshihen në marketing. Klan e ABC shpallën që dje bojkotin e fushatës deri më 21 maj. Sot vendim edhe tek ‘Ora’ e ‘News 24’. Babaramo i ‘A1 Report’ kundër: S’ka arsye për bojkot. Nismë për të bërë plaçkë. Zaganjori: S’pranojmë kaseta pas datës 21 maj.

Klan dhe ABC njoftuan dje se nuk do të transmetojnë më fushatë deri sa kjo të fillojë zyrtarisht. Ndërkohë njoftohet një takim ditën e sotme i katër televizioneve të rëndësishme, ku do të vendoset për kasetat. Burime nga një TV informativ thonë se mund të vendoset që këto të pranohen vetëm nëse përfshihen në zonën e marketingut. Takimi i sotëm është parashikuar mes TV Klan, ABC, News 24 dhe Ora News.

Ndërkohë nga Top Channel dhe A1 Report mësohet se këto nuk janë njoftuar për një takim të tillë, por se kanë tashmë një qëndrim për mënyrën sesi do procedojnë me kasetat e famshme të fushatës. “Pas datës 21 maj nuk do të transmetojmë kaseta të gatshme”, i tha ‘Mapos’ Bledar Zaganjori i Top-Channel. Ai shpjegoi se tani për tani pranoheshin kaseta nga ato parti që nuk pranonin gazetarë në aktivitete apo kur aktivitetet ishin shumë larg dhe këtu merren përgjithësisht vetëm ato që quhen sinkrone apo citime nga personazhet politikë që flasin.

Nga ana e tyre, Klan dhe ABC News në një deklaratë publike thanë se “…partitë politike nuk e respektuan rregullin, që vetë e kanë shkruar në Kodin Zgjedhor, që fushata zgjedhore të shtrihet në 30 ditë. Edhe këtë herë ato e kanë nisur para kohe fushatën, por ABC News vendosi që të mos i transmetojë aktivitetet e tyre elektorale para 22 majit, kur fushata nis zyrtarisht”, thuhet në njoftimin e publikuar prej ABC. Tv Klan ka marrë një vendim të ngjashëm duke mos transmetuar aktivitete politike deri në 22 maj.

Të dy televizionet sqaruan se sipas Kodit Zgjedhor fushata zyrtare është 30 ditë. “Kjo është edhe periudha që detyron mediat për të pasqyruar në edicionet informative sipas minutazhit të përcaktuar aktivitetin e tyre elektoral”, thuhet në njoftime. Ylli Rakipi, drejtor i ‘Ora News’ mbështeti këtë qëndrim: “Nuk do të transmetojmë kasetat”, i tha ai Mapos. Ndërsa bëri të ditur edhe njoftimin se nesër do kishte një qëndrim unik nga katër televizione të mëdha, tri prej të cilave i janë dedikuar informacionit.

Një drejtues në një prej televizioneve informative tha ndërkohë se bojkotimi i fushatës së hershme bëhet edhe për shkak të kasetave të gatshme. “Kasetat do transmetohen vetëm nëse kalojnë në marketing”, tha drejtuesi i televizionit informativ, duke lënë të kuptohet se përsa kohë këto të fundit nuk janë prodhime të vetë medias, kjo ishte e vetmja mënyrë sesi ato mund të përfshiheshin në programacion.

A1 Report, i cili ka pasur një përplasje me tri televizionet e tjera kombëtare në kohët e fundit, thotë se nuk është njoftuar për takimin e televizioneve ashtu si Top-Channel. Ilir Babaramo, drejtor në këtë televizion, tha se që prej 21 majit edhe ata do t’i refuzonin kasetat, por hodhi hije dyshimi për arsyet se përse kjo po bëhej nga televizionet e tjera. “Më duket si nismë e atyre që ishin mësuar që në kohë zgjedhjesh të bënin plaçkë. A ka arsye të bojkotojmë fushatën për sa kohë ka interes publik?! A1 Report do të mbulojë fushatën në çdo skaj të vendit pa u bërë vegël e askujt, krejt ndryshe nga nostalgjia që mund të kenë për “kohët e arta” që duket se kanë ata që i prisnin fushatat si kleftët që u zinin pusi karvanëve që kalonin drejt Stambollit”, tha Babaramo për Mapon.

Nga ana e tyre, ABC e Klan e kanë arsyetuar qëndrimin e tyre me ligjin zgjedhor. Sipas tyre, forcat politike dhe kandidatët po shfrytëzojnë më shumë ditë fushatë jozyrtare, ndërsa kanë ngritur edhe shqetësimin për financimin e fushatave. “Duke përfituar edhe nga mungesa e detyrimit ligjor, ato nuk deklarojnë as burimet e financimit të aktiviteteve të tyre. Sipas Kodit Zgjedhor, edhe këtë detyrim për transparencë e kanë vetëm për 30 ditët zyrtare të fushatës deri në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e ABC-së.

Kjo e fundit sqaron se “vetëm për 30 ditë fushatë është detyrimi ligjor i medias edhe ndaj qytetarëve, të cilët partitë deri atëherë mund t’i takojnë për t’ua dëgjuar hallet edhe pa pasur kameran pas shpine”, thuhet në njoftim. Ndërkohë 6 televizionet të rëndësishme duket se janë bashkë sa i përket transmetimit të kasetave që vijnë nga partitë. Një revoltë e tyre u provua edhe në 2013, kur u tha se nuk do transmetoheshin më kasetat nëse nuk lejoheshin televizionet të filmonin vetë aktivitetet e fushatës. Vendimi sidoqoftë u rrëzua nga KQZ, që i detyroi televizionet t’i transmetonin ato. ODIHR e kritikoi këtë qëndrim, megjithatë çështja mbetet pezull.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s