KQZ: Partitë të ndalin mitingjet, mediet mos t’i transmetojnë. Pikëpyetje e polemika mbi ligjshmërinë

k-zgjedhor“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu bën thirrje partive politike të ndalojnë menjëherë fushatën zgjedhore, pasi janë në shkelje të Kodit Zgjedhor”. 

Për herë të parë, nga një drejtues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëshohet një apel i tillë ndaj partive politike, pavarësisht se aktivitetet partiake kanë qenë të tilla të pranishme përpara çdo procesi zgjedhor.

Në mbështetje të kësaj deklarate, kryetarja e KQZ-së citoi nenin 77 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton vetëm afatin ligjor të fillimit dhe mbarimit të fushatës elektorale, 30 ditë përpara datës së votimit.

“Neni 77 përcakton se fushata zgjedhore fillon 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë përpara kësaj date. Dhe, siç KQZ e ka bërë tashmë të ditur, fushata zgjedhore fillon në datën 22 Maj. Neni 172 përcakton se, shkelja e ndonjërit nga parimet e përgjithshme të përcaktuara në nenet 3, 4 ose 5 të këtij Kodi, në rastet kur kjo nuk përbën shkelje në rezultatin e zgjedhjeve, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. Nëse partitë politike nuk do të ndërpresin menjëhere fushatën zgjedhore të nisur, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë masat e parashikuara”, tha kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi.

Por, kjo deklaratë e kryetares së KQZ-së ngre disa pikëpyetje në lidhje me interpretimin si të jashtëligjshëm të aktiviteteve politike të partive. Pikëpyetja më e madhe në këtë deklaratë është ajo, se cilat mekanizma ligjorë përcaktojnë se një shfaqje e një subjekti politik, apo kandidatit respektiv të regjistruar tashmë në KQZ, është aktivitet fushate zgjedhore apo aktivitet politik?

Dy bashkëhartuesit e Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, të kontaktuar nga Top Channel, thonë se Kodi Zgjedhor nuk përcakton asgjë për aktivitetet përpara fushatës elektorale. Kodi, për këtë periudhë para fushatës, thonë ata, është i heshtur.

Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka dy periudha zgjedhore, atë mes Marsit dhe Qershorit dhe atë mes Shtatorit dhe Nëntorit. Neni 77 i Kodit, të cilit i referohet kryetarja e KQZ-së, nuk përcakton asgjë për periudhën përpara 30 ditëve të fushatës zgjedhore, sikurse edhe nenet që referon bashkë me të.

Kodi rregullon në mënyrë specifike vetëm publicitetet elektorale, duke ua ndaluar partive këtë përpara fillimit të fushatës, por nuk thotë asgjë për aktivitetin politik të partive.

Ndërkohë që kryetarja e KQZ-së, pas partive i ka bërë apel edhe medias.

“Gjithashtu, ky apel vlen edhe për mediet, të cilat po ashtu janë të detyruara të zbatojnë Kodin Zgjedhor, pasi neni 77 përcakton detyrimin edhe për mediet për fillimin e fushatës zgjedhore, konkretisht në datën 22 Maj. Ndaj mediet duhet të mos transmetojnë asnjë material të fushatës zgjedhore të kandidatëve apo partive politike”, vijoi më tej Lefteri Lleshi.

Kodi Zgjedhor, sa i takon medieve ndalon sërish vetëm transmetimin e spoteve elektorale përpara fushatës, ndërsa televizionet bëhen subjekt i KQZ-së vetëm me fillimin e fushatës zgjedhore, kur KQZ-ja, përmes bordit të monitorimit, i detyron të pasqyrojnë aktivitetet elektorale me kohë të barabartë për dy partitë, apo koalicionet e mëdha, në hapësirat e tyre informative apo në emisionet politike.

Për ironi, deklarata e kryetares së KQZ-së për mediet bëhet në një moment, kur institucioni që ajo drejton nuk e ka miratuar ende ngritjen e grupit, që do t’i monitorojë ato prej datës 22 Maj dhe deri më 21 Qershor. Të gjitha këto ngrenë pikëpyetjen, se nga është nxitur një deklaratë e tillë e kryetares së KQZ-së, që drejtonte gjithashtu këtë institucion edhe gjatë zgjedhjeve të shkuara, kur as më shumë e as më pak, partitë shfaqen të njëjtin intensitet të aktiviteteve politike përpara periudhës së fushatës elektorale.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s