Një kërkesë për ministrin Panariti

Prof. As. Xhevdet Bashllari

gaz-bujqNë një nga sallat e Ministrisë së Bujqësisë, Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, festoi 20-vjetorin e krijimit të saj, ku morën pjesë të ftuar nga Federata Ndërkombëtare a Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ), Stefan Nimerllov nga Austria dhe Juri Mykhailov nga Ukraina. Po ashtu qenë të pranishëm dhe gazetarë nga Kosova, pjesë të shtypit të shkruar dhe televizioneve kosovare e në veçanti gazetarë të vjetër që kanë trajtuar çështje të bujqësisë, specialistë të kësaj fushe, miq e të ftuar. Pas fjalës së presidentit të shoqatës, në emër të IFAJ-t përshëndeti gazetari Nimerllov nga Austria. Aty u lexua edhe përshëndetja e ish presidentit të kësaj shoqate Fuat Memeli, dërguar nga Bostoni i Amerikës, së bashku me një tufë lule me 20 karafila të kuq. U ndanë çmime me kupat përkatëse, për shkrimin dhe fotografinë më të mirë të vlerësuar nga juria, i dhe u përurua libri “20 vjet shoqatë” i botuar me këtë rast.
Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë mbushi 20 vjet. Dhe ne atë e quajmë shoqatë në moshë rinie. U mblodhëm në festën e ditëlindjes u kujtua dita kur një grup gazetarësh të bujqësisë, nismëtarë për krijimin e shoqatës sonë, të prirë nga Shefqet Meko ish kryeredaktori i “Studentit Bujqësisë”, u mblodhëm për të diskutuar mbi krijimin e saj. Ishte viti 1994. Gazetari Shefqet Meko ishte miqësuar me gazetarin Anglez Xhefri Tensi. Xhefri pati ardhur në vendin tonë me një projekt të FAO-s. Ndihma e gazetarit anglez ishte e madhe. Ai na tregoi për zhvillimin e shtypit në vendet demokratike, lirinë e tij, për shoqatat në përgjithësi dhe ato të gazetarëve në veçanti. Duke synuar organizimin demokratik të gazetarëve, në bazë të ligjeve që vepronin në atë kohë, u përgatit statuti dhe programi i shoqatës. Ajo ditë do të hynte në histori si ditëlindja e këtij organizmi të ri që u pagëzua me emrin Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë. Në atë mbledhje votuam për drejtuesit e shoqatës. U zgjodh kryesia, kryetari, një zëvendëskryetar dhe një sekretar të përgjithshëm. Ministri i Bujqësisë Hasan Halili, u pajtua me kërkesën dhe nënshkroi themelimin e saj. Tashmë, edhe ligjërisht ne kishim shoqatën tonë. Ishim në vitet e para të demokracisë. Sapo qemë ndarë nga sistemi i kaluar i izolimit. E ndjenim nevojën e hapjes me jashtë; kishim dëshirë të papërmbajtur të shikonim vende e shtete demokratike. Kishim një “uri” për të dalë jashtë. Shefqeti ishte ndër të parët që kaloi kufirin duke përfaqësuar shoqatën në një takim ndërkombëtar që u organizua në Angli.
Më kujtohet një seminar, me temë ”Gazetaria Bujqësore, në Shqipëri”, që u zhvillua në sallën e katit të katërt të Ministrisë së Bujqësisë. Në atë seminar morën pjesë Etleva Xhajanka, Monika Spahivogli, Miti Koçi, drejtori i Shtëpisë së Propagandës Bujqësore Kastriot Mersini, etj. Referatin kryesor e mbajti Kryetari i shoqatës, i cili u pasua nga referate të tjerë, mjaft me nivel. Pati diskutime e gjithçka shkoi mirë. Kjo veprimtari ishte ndër të parat, ndaj ishte edhe si një përurim për rrugën e shoqatës në të ardhmen.
Gazetarë që kishin nënshkruar themelimin, ishin kryesisht të diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Një pjesë e tyre kishin kryer kurse gazetarie si Skënder Sina, Pasho Baku, Veli Hoxha, Fuat Memeli dhe Fiqiri Shahinllari, por kishte e me specializim pasuniversitar (master) në gazetari si Shefqet Meko, Xhevdet Bashllari, Nuri Dragoj dhe Gjovalin Gjeloshi, ndërsa Ago Nezha, Selim Hoxha, Imelda Kolari etj vinin në gazetari nga shkolla e jetës. Pothuaj të gjithë patën fatin të punonin, për vite me radhë, përkrah gazetarëve më të vjetër, që kishin bërë emër në gazetari si Lefter Peço, Ballkiz Halili, Mitro Kuli, Milto Ferro etj, në Shtëpinë e Propagandës Bujqësore që, në atë kohë, ishte “shkollë e gazetarisë bujqësore”, me drejtor Faik Labinotin, e më pas e drejtuar nga gazetari Jani Gusha. Aty botohej Revista “Bujqësia”, Buletini i Shkencave Bujqësore, disa buletine të Instituteve Kërkimore si dhe dhjetëra tituj broshura e libra në vit, me teknika e teknologji bashkëkohore, që jepnin ndihmesën e tyre në shtimin e prodhimit bujqësor e blegtoral.
Shefqeti shkoi edhe në SHBA te Radio ”Zëri i Amerikës”, ku kreu një kurs gazetarie, më pas udhëtoi për në Zvicër, ku u miqësua me gazetarin Hans Muler, i cili na ndihmoi për ta pranuar shoqatën tonë, në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ). Anëtarët e shoqatës u pajisën me kartën e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ). Ishte viti 1998. Në gusht të atij viti, IFAJ, do të çelte Kongresin në Berlin të Gjermanisë. Në atë Kongres nga shoqata jonë, e anëtarësuar rishtas, u përfaqësua me 5 gazetarë nga Shqipëria, Shefqet Meko, Xhevdet Bashllari, Fuat Memeli, Pasho Baku dhe Blerta Bena. Në statutin e shoqatës është shkruar edhe ngritja e nivelit të gazetarëve. Të gjithë donin të mësonin më mirë profesionin e gazetarit e synuar kualifikim të vazhdueshëm. Për kualifikim do të shfrytëzonim përvojën brenda për brenda vendin, por edhe atë ndërkombëtare.
Tek ecnim nëpër vite nga radhët e shoqatës patëm edhe “hemoragji”. Vetëm në Amerikë, deri tani kanë shkuar 5 anëtarë, të tjerë kanë shkuar në shtete të tjera, ku kanë ndërtuar jetën e tyre. Por “të larguarit”, nuk dëshirojnë “të largohen” nga jeta dhe veprimtaria e shoqatës. Ndaj në veprimtaritë tona, ftesa i shkon në rrugë elektronike gjithë anëtarëve të saj, të vjetër dhe të rinj. Dhe ata nuk përtojnë, vijnë në Shqipëri dhe shkojnë sërish në Amerikë, por nuk shkëputen asnjëherë me penën e mendjen e tyre. Ndër kohë prurjet e reja vijojnë. Në analizën dhe vlerësimin e radhëve të shoqatës e pamë të domosdoshme ripërtëritjen. Vetëm në 2 vitet e fundit kanë hyrë në shoqatë disa anëtarë të rinj si Anton Grizha, Bujar Ferhati, Albora Kaçani etj. Jo vetëm për gazetarët e rinj, por për të gjithë ne, është fat dhe nder të kemi 3 profesorë, si Hamit Boriçi, Ahmet Osja, Hulysi Hako; janë 3 profesorë me emër të gazetarisë, bujqësisë dhe të filozofisë që punojnë me përkushtim dhe me kujdes atëror për edukimin profesional të gazetarëve më të rinj. Por aty ka dhe disa profesor të asociuar si Xhevdet Bashllari e Nuri Dragoj, disa doktorë të shkencave bujqësore etj.
Për ngritjen profesionale, sipas përvojës së IFAJT, për të nxitur gazetarët për të shkruar më shumë dhe me cilësi më të mirë, kemi organizuar konkursin e përvitshëm “Dr Vasfi Samimi”. Dr. Samimi është një personalitet i shkencës dhe i gazetarisë, sidomos asaj të shkruar. Në skedat e bibliotekës kombëtare e kam gjetur 33 herë si autor, në 33 vëllime e broshura. Për hartimin e 28 volumeve me temë “Vasfi Samimi, Jeta e vepra”, u ngrit një redaksi me kryeredaktor Profesor Hamitin. Pas një pune me përkushtim doli në dritë seria me 28 vëllime. Shoqata ka hapur dhe një konkurs për vepra e shkrime në fushën e bujqësisë, me emrin e madh “Vasfi Samimi”. Ai është i përvitshëm. Shkrimet e mbledhura me mbishkrimin “për konkursin” i vlerëson juria me pikë, ku shihet interesi i temës, përmbajtja, stili etj Tashmë e kemi bërë traditë konkursin. Është viti i pestë që shpallet fituesi i çmimit Vasfi Samimi”. Në analizën e punës njëvjeçare, në çdo fundviti, paraqesim edhe projektet që mund të realizohen nëpërmjet shoqatës. Çdo anëtar mund të hartojë projekte dhe t’i paraqesë për miratim e zbatim. Për ta bërë jetën shoqërore më të afërt e më të ngrohtë e familjare festojmë ditëlindjet e shokëve dhe shoqeve tona. Më mbresëlënëse ishte ditëlindja e kolegut tonë Skënder Sina, në Lezhë. Kolegët lezhjanë kërkuan që atë veprimtarinë ta zhvillonim në qytetin e tyre. Edhe në Lezhë nuk munguan përshëndetjet e shokëve tanë nga Amerika si Fuat Memeli, Shefqet Meko, Fiqiri Shahinllari dhe Klara Buda. Festimet e ditëlindjes u kryen sipas traditës të festimit familjar, me këngë, urime, shëndete, dolli dhe tortë. Në Lezhë kemi shkuar të gjithë së bashku te Muzeu i Skënderbeut. Aty përveç fjalës së ciceronit, dëgjuam edhe recitime aktorale të kolegëve tanë Pasho Baku e Ali Coka, nga fjala e Skënderbeut, sipas Marin Barletit. Gjithashtu, edhe festën e tradicionale të vitit të ri e kemi bërë traditë për festimet në shoqatë. Një ditë, në adresën time mbërrin një ftesë nga Serbia. Në letrën elektronike lexova: Ju ftojmë në Turin Ballkanik 2012, AGROPRESS SERBI, 14-19 maj, 5 gazetarë, me shpenzimet nga Ministria e Bujqësisë, Tregtisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Serbisë. Turi do të do të kalojë në Beograd, Novi Sad, Valjevo dhe në vende të tjera. Ftesën e dërgonte homologu Goran Gjakoviç, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Bujqësisë, Serbi. Shkuam 5 gazetarë në atë Tur. Atje takuam kolegë nga SHBA, Bullgari, Irlandë, Zvicër, Kroaci, etj por nëse nga shoqatat e shteteve të tjera anëtare të IFAJ, kishte nga një pjesëmarrës, vetëm nga Shqipëria ishim 5 gazetarë. Në ditët e “turit“ udhëtuam Beograd-Novisad, fushës së gjerë e pa anë; pamë, kombinate si ai i Sojëproteinike të “Viktoria Grup”, që shpërndante prodhim nëpër Evropë, vizituam edhe kombinatin e përpunimit të qumështit, një nga më të mëdhenjtë në Evropë si dhe stacione të tjera të zhvillimit të bujqësisë serbe. Në fund të turit, kur u ndamë, e falënderuam edhe një herë për këtë mundësi të mirë për të parë dhe për të marrë përvojë nga bujqësia serbe dhe e ftuam të vinte të shikonte bujqësinë e vendit tonë. Nga shoqata jonë, me ftesë të IFAJ kanë marrë pjesë në Kongreset, Texas, në SHBA, Valencia të Spanjës, në Norvegji etj. Këto ishin disa nga veprimtaritë e jetës së shoqatës. Për zhvillimin e tyre ne kemi pasur gjithnjë mbështetjen financiare të biznesmenëve e kolegëve: Agim Rameta, Fatos Bylukbashi, Gjovalin Gjeloshi, Skënder Sina, Gëzim Sinani, Selim Hoxha, etj, sot gjejmë rastin t’i falenderojmë.
Në rrugën 20-vjeçare të shoqatës, janë ndarë nga jeta gazetari Marash Hajati, që ka bërë emër dhe ka mbetur në historinë e gazetarisë shqiptare si në gazetarinë e shkruar edhe atë elektronike. Sot, përveç Marashit, homazh ju përcjellim edhe dy anëtarëve të shoqatës Profesor Miti Koçi dhe Abdulla Braçaj.
Gazetarët e shoqatës, kanë shkruar me përkushtim. Shkrimet e rrjedhura nga penat e tyre, kanë mbetur e do të mbeten në faqete gazetave. Ato kanë zënë vend në koleksionet dhe arkivat e gazetave. Firmat Fiqri Shahinllari, Nuri Dragoj, Bashkim Koçi, Jani Gusha, Xhevdet Bashllari, Shefqet Meko, Ahmet Osja, Ago Nezha, Pasho Baku, Zef Gjeta, Fuat Memeli, Enver Isufi, Gjovalin Gjeloshi, Etleva Xhajanka, Skënder Sina, Miti Koçi, Haki Kola, Gjon Fierza, etj. janë me qindra e mijëra artikuj të botuar nëpër gazetat e revistat e shtypit bujqësor dhe atij shqiptar në përgjithësi. Ka arritur në dyshifror numri titujve të librave me autor: Sokrat Jani, Xhevdet Bashllari, Zef Gjeta, Gjon Fierza, Enver Isufi etj, ndërsa Veli Hoxha, me punën redaktuese mbi 40 vjeçare u bë një nga redaktorët më në zë të botimeve bujqësore. Dy nga kolegët tanë gazetarë Fuat Memeli si dhe operatori Fatos Loli, kanë bërë emër në realizimin e filmave dokumentarë bujqësore si brenda dhe jashtë vendit. Emrat e tyre i shohim në mbi 200 filma dokumentarë. Ata janë pjesëmarrës në disa festivale të filmit dokumentare jashtë shtetit. Në këtë gjini të gazetarisë elektronike, ata kanë fituar pesë çmime ndërkombëtare.
Ne si shoqatë, jemi partnerë, por edhe opozitë e shëndetshme me Ministrinë e Bujqësisë për zhvillimin dhe përparimin e bujqësisë. Sot, në fshat, ku jeton e punon po thuaj gjysma e popullsisë, mungon shtypi bujqësor. Në vendin tonë, përfaqësuese e denjë e shtypit bujqësor ka qenë “Revista Bujqësia”.
Kur revista mbushi 90 vjet dhe ne, gazetarët, specialistët e bujqësisë dhe fshatarët, do të festonim 90-vjetorin e revistës më të madhe, pra, krenarisë së shtypit të shkruar bujqësor, Ministri i Bujqësisë Genc Ruli e mbylli. E mbylli, kur në atë qeveri, Ministri i Arsimit nuk kishte revistë dhe çeli. Në historinë e shtypit bujqësor kanë hyrë dy ministra: Ministri Ferid Vokopola, që nënshkroi çeljen e saj dhe, pas 90 vjetëve, Genc Ruli që e mbylli, në kohën e demokracisë, atë revistë që nuk u mbyll e doli edhe në kohën e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Gjendja e bujqësisë dhe bujkut, në kohën e ministrit Genc Ruli, kur mbylli revistën, u kthye si 90 e ca vjet më parë, kur specialistët e bujqësisë përpiqeshin të nxirrnin në dritë revistën bujqësia apo si do e quanin “fletore” me emrin naimian “Bagëti e Bujqësia”. Historia përsëritet. Ja çfarë shkruanin “baballarët” e revistës me rastin e ditëlindjes së saj: “Në shtetet e tjera “Fletoret e bujqësisë”, kanë marrë një përhapje të madhe, si edhe përparimi i atyre shteteve në bujqësi ; po shohim se në qytete tona të vogla, shumë fletore me ngjyrë politike edhe letrare, janë tue botue. Nuk mundemi të themi, në ashtë apo jo nevojë për aq fletore, që dalin sot në Shqipni, se barometri i tyre është kënduesi; por vetëm duam të themi se deri sot, nuk ka dalë as një e përkohshme me landë praktike për punën e tokës tonë, për nevojat e atij bujku, që e kemi lanë në errësirë, për ndihmën e asaj bujqësie, që formon bazën edhe jetën e Shtetit tonë bujqësor”…
Sot, me këtë rast, i kërkojmë ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti të Qeverisë së Rilindjes “të na rilindi” edhe revistën “Bujqësia”, sepse atë do ta ketë krahë e ndihmë në punën e tij për zhvillimin e bujqësisë. Ajo do të paraprije duke përcjellë, te specialistët dhe fshatarët, mendimin e përparuar, teknikat dhe teknologjitë bashkëkohore.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s