Fund pa lavdi për “manjatin e medias” Rezart Taçi

taci-mediaErvin Kaduku

Humb njërin pas tjetrit, ARMO-n, Albpetrolin, Milanin, Parmën, tani mbyll dyert edhe në televizionin Albanian Screen

Nga dita e enjte, bota e medias televizive shqiptare ka një anëtar më pak. Televizioni Albanian Screen po shkon drejt mbylljes. Lajmi është njoftuar nga vetë punonjësit e kompanisë, shumica e të cilëve kanë shkëputur marrëdhëniet e punës me televizionin. Punonjësit janë njoftuar në mënyrë individuale se puna do të vijojë vetëm edhe për pak ditë, ndërsa po likuidohen për pagat e prapambetura. Drejtuesit e kompanisë nuk ishin të arritshëm për koment, ndërsa prej disa ditësh sinjali i Albanian Screen nuk po transmetohet më as në Digitalb.

Albanian Screen (AS), sipas të dhënave të bilancit të vitit 2013, realizoi një qarkullim vjetor prej 323 milionë lekësh në vitin 2013 (rreth 2.3 milionë euro), me një rënie prej 33% në raport me një vit më parë. Sipas xhiros, Albanian Screen është televizioni i katërt më i madh në vend, pas Top Channel, Klan dhe Vizion Plus. Ndërsa në 2012 AS ishte i treti më i madh në vend, me një xhiro më të lartë se Vizion Plus. Ky është televizioni i parë i përmasave relativisht të mëdha që po mbyllet.

Për periudhën 2012-2013, televizioni ka rezultuar me një humbje prej rreth 30 milionë lekësh, përkatësisht për secilin vit. Albanian Screen që pas vitit 2000 kur u themelua pati një rritje të qëndrueshme duke fituar një audiencë të kënaqshme. Tre vitet e fundit Albanian Screen e përforcoi audiencën edhe më shumë me një nga telenovelat me prestigjioze turke, “Sulejmani i Madhërishëm”. Para 5 vitesh kompania numëronte mbi 320 punonjës, por pas problemeve që ju krijuan me privatizimin e ARMO-s aksionerit të saj kryesor Rezart Taçi, aktualisht ishin të punësuar pak më shumë se 100 punonjës.

 

Pronarët

Sipas ekstraktit në QKR, Albanian Screen (ish-Alsat) u themelua në vitin u regjistrua më 11 shtator të vitit 2000 si “TELEVIZIONI KOMBETAR SATELITOR SH.A.” nga fondacioni Velia. Në vitin e parë të aktivitetit ortakët e atëhershëm të ALSAT TV ishin: Fondacioni Velia me 40%, të aksioneve, Network Technology Consulting LLC 40% të aksioneve, Mira Meksi 10% të aksioneve dhe IiTC Trade Corp. 10% të aksioneve. Në vitin 2010 biznesmeni Rezart Taçi ka blerë aksione me vlerën e 180 milionë lekëve dhe njëherazi është bërë administrator i televizionit.

Sipas të dhënave në QKR Albanian Screen është në proces sekuestrosh nga disa shoqëri përmbarimore për detyrime ndaj të tretëve. Në bilanc rezulton se vetëm detyrime për pagime sigurimesh shoqërore janë rreth 150 milionë lekë, apo gati 1 milion euro.

 

“Uragani Taçi”

Një televizion me pak apo më shumë në Shqipëri nuk është ndonjë humbje a fitore e madhe, po të mos shihet e lidhur kjo me hapjen apo mbylljen e vendeve të punës, me fatin e qindra vetëve që tani do të jenë të detyruar të kalojnë në radhët e të papunëve. Por kjo aferë ka lidhje edhe me shkëlqimin dhe rënien skandaloze të një biznesmeni, që kryesisht shkëlqeu në fushën e bllofeve, se sa në atë të biznesit real.

Deri në fund të vitit 2012, kur ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol, Rezart Taçi konsiderohej si një ndër manjatët më të mëdhenj të naftës në vend, me plane të mëdha për të mbyllur ciklin nga prodhimi i naftës e deri te tregtimi me pakicë i saj. Në vitin 2012, përmes kompanive të tij, Taçi Oil, Kuid dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh. Krahas biznesit të naftës, Taçi Group, vitet e fundit, ishte zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit Alsat, që e shndërroi në Albanian Screen, dhe në arsim, përmes shkollës private Nobel.

Por, 2013-a solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Grupi u tërhoq nga blerja e Albpetrol në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar. Në gusht 2013, kuotat kryesore të një prej sipërmarrjeve të tij, ARMO, iu shitën kompanisë azere Heaney Assets Corporation (shiko shkrimin në vijim për ARMO-n). Sipas kontratës së shitblerjes së ARMO-s, u ra dakord midis dy palëve që “për një periudhë 5 (pesë) vjeçare, duke nisur nga data e kësaj kontrate, as Anika (e motra e Rezartit) e as Rezarti nuk duhet të marrin pjesë, drejtpërdrejt a tërthorazi, apo të kenë interes financiar apo tjetër, në ndonjë person juridik që merret me rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit apo çdo produkti a shërbimi energjetik në Shqipëri”. Burime të pakonfirmuara thanë se ARMO iu shit azerëve për 150 milionë euro, por me zbritjen e borxheve, mbeten cash vetëm 30 milionë euro.

Kjo solli rënie të menjëhershme të aktivitetit të Taçi Oil, sipërmarrja kryesore e grupit. Sipas të dhënave të bilancit të kompanisë, xhiro e saj u tkurr me 72% në vitin 2013, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë.

Taçi u paraqit kaq i fuqishëm edhe jashtë Shqipërisë, sa që tentoi të blinte më shumë se një ekip të Serisë A në kampionatin Italian, duke synuar madje … Milanin e Berluskonit (!), Parmën në faliment e sipër, madje hyri në tratativa edhe për të zotëruar disa aksione në ekipin anglez Çelsi, klub që ka pronar manjatin rus të naftës dhe gazit, Abramoviç. Ishte sponsor i klubit italian të futbollit, Milan, ku për herë të parë, një kompani shqiptare dhe marka Taçi Oil qëndronte si reklamë mes shoqërive të fuqishme anash fushës ku luante ekipi milanist. Drekonte me Berluskonin, kryeministrin italian, miliarder dhe një prej njerëzve më të fuqishëm të botës, solli në Tiranë ekipin galaktik të Real Madridit dhe Milanit, kërkonte të blinte Sheraton-in, markën e njohur të hoteleve, madje të kishte dhe një bankë të tij, por u “ngushëllua” me disa aksione te një nga bankat më të rëndësishme në vend, etj.

Taçi luante në Bursën e Singaporit, kërkoi të privatizonte Albpetrol-in për 850 milionë euro, xhiroi në vitin 2012 rreth 350 milionë euro nga kompanitë e naftës dhe u largua, duke i shitur të gjitha, pasi ishte i mbytur në borxhe.

Në dhjetor të 2013-ës u kallëzua në prokurori biznesmeni Rezart Taçi dhe familja e tij, për evazion fiskal dhe mospagim taksash. Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dorëzoi në prokurori kallëzimin penal ndaj tij dhe familjes, përfshi nënën, babanë dhe motrën. Bëhet fjalë për një padi, në brendi të së cilës janë gjashtë akuza, si mosshlyerje detyrimesh, fshehje të ardhurash, pastrim parash, falsifikim dokumentesh, etj. Konkretisht akuzat lidhen me mosdeklarim të shitjeve pranë organeve tatimore për 566 mijë litrave naftë me vlerë të përafërt 486 mijë USD, të eksportuara nga kompania TAÇI OIL për shoqërinë malazeze IK REAL D.O.O Podgorica. Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave nga shoqëria ARMO SHA, me administrator të përgjithshëm shtetasin Razart Taçi, me shumën 1.5 miliardë lekë.

Mosshlyerja e detyrimeve tatimore dhe gjobave për shumën 138.5 milionë lekë nga subjekti Kuid SHPK, në pronësi dhe administrim të Rezart Taçit. Në dosje ndodhen dokumente ku flitet për transferta prej 4.5 milionë eurosh në favor të shoqërisë ARMO, me arsyetimin kalim fondi, apo transferta të tjera të kryera nga shoqëria në fjalë për likuidim detyrimesh, të cilat janë zhdukur pa lënë gjurmë duke u tërhequr menjëherë brenda ditës.

Kjo dosje nuk dihet ende se ç’fund do të ketë.

Por tashmë dihet mirë se ç’fund pati Taçi të paktën në fushën e biznesit dhe atë të medias!…

 

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s