Realiteti shqiptar dhe sfida për fjalën e lirë

Rezana Konomi

Shqipëria dhe shqiptarët gjatë sistemit diktatorial vuajtën nga  mungesa e theksuar e lirisë në të gjitha dimensionet e saj. Për këtë arsye, në fillim të viteve ‘90, krahas pluralizmit dhe ndryshimit të  modelit ekonomik, një rëndësi të veçantë morën të drejtat e liritë e individit deri atëherë jo vetëm të mohuara, por më keq akoma, sepse në të gjitha rastet liria e fjalës apo shprehjes ka qenë shkak për shumë dënime dhe penalitete nga më çnjerëzoret. Kjo ka qenë dhe arsyeja sepse ne, të uritur nga kjo mungesë, e gëzuam lirinë, të drejtën e fjalës dhe të shprehjes deri në ekstremitetet e tyre, pa pyetur për cenimin që u shkaktojmë të tjerëve gjatë ushtrimit të tyre, për faktin se nuk dinim dhe nuk dimë ende që ekzistojnë hapësirat dhe kufijtë që ndajnë të drejtën nga detyrimi. Liria e shprehjes pa dyshim është arritja më e madhe në një shoqëri demokratike, sepse nëpërmjet saj mundësohet shkëmbim idesh, pluralizëm mendimesh dhe opinionesh dhe, në këtë mënyrë, realizohet pasuria e mendimit dhe komunikimit, pasurohet vetë demokracia dhe diskursi politik në veçanti.

Për këtë arsye, liria e shprehjes konsiderohet si një mjet i realizimit shpirtëror dhe intelektual të individit. Por a është liria e shprehjes një e drejtë absolute? A është shoqëria jonë e zhvilluar kulturalisht mjaftueshëm për të qenë korrekt dhe për të përdorur këtë liri me pjekuri dhe në mënyrë të kujdesshme? Besoj se të gjithë jemi në një mendim, se në të shumtën e rasteve gjuha e urrejtjes dhe fyerjet janë ato që dominojnë në ushtrimin e lirisë së shprehjes, sidomos në komentet online. Në portalet online gjen një “pasurim fjalori ordiner”, i cili, përveç cenimit të nderit, dinjitetit dhe personalitetit të individëve të tjerë privatë apo publikë, nuk sjell asnjë të mirë publikë dhe, për më tepër, modelon një sjellje aspak të tolerueshme. Shoqëria shqiptare është duke vuajtur nga mungesa e vlerave dhe është ende duke u ristrukturuar në kërkim të vetvetes. Në këtë sens, kujt i shërben kjo liri e shprehjes pa asnjë kufizim, e reflektuar me një gjuhë urrejtjeje dhe fyese? Sa universale janë liria e mendimit dhe liria e shprehjes?

Koncepti i të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe i të drejtës dhe lirisë së shprehjes në veçanti ka qenë dhe është në dinamikë të vazhdueshme zhvillimi, sepse është i lidhur ngushtë me llojin e shoqërisë në të cilën zhvillohet dhe, për këtë arsye, shpesh kuptimi dhe zbatimi i saj është i ndryshëm në vende të ndryshme. Shoqëritë tona kanë ndryshuar në mënyrë radikale dhe, së bashku me to, edhe konceptimet teorike dhe zbatimet praktike të së drejtës. Ky koncept  është një produkt i zhvillimit historik, i lidhur ngushtë me kushtet specifike shoqërore, politike e ekonomike, si dhe me historinë, kulturën dhe vlerat e një vendi të veçantë. Kjo për faktin se në etapa te ndryshme historike ekzistojnë kërkesa të ndryshme për të drejtat e njeriut. Vende në nivele të ndryshme zhvillimi ose me tradita historike, kulturore jo të njëjta kanë gjithmonë të ndryshme mënyrën e të kuptuarit dhe zbatimin mbi të drejtat e mendimit të lirë dhe të drejtës së shprehjes së lirë të fjalës. Ne këtë mënyrë, nuk mund të ekzistojë një standard i të drejtave të njeriut dhe nuk mund të sugjerohet për një model të njëjtë për të gjitha vendet. Megjithëse e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit është e garantuar nga ligji ndërkombëtar, organizmat të cilat sugjerojnë dhe monitorojnë zbatimin e normave të drejtave të njeriut, japin hapësirë për interpretime dhe zbatime të ndryshme në nivel nacional, ne bazë të diferencave që vendet kanë.

Fillesat e bazës juridike për lirinë e shprehjes i hasim pas Luftës se Dytë Botërore, në aktet themelore të OKB-së, respektivisht në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, që konsiderohet si dokument themeltar juridik-ndërkombëtar për standardet e të drejtave të njeriut. Në nenin 29 të kësaj Deklarate përcaktohet se: “ushtrimi i të drejtave dhe lirive të çdonjërit është subjekt i kufizimeve siç është e përcaktuar me ligj, me qëllim që të sigurohet njohja dhe respektimi i nevojshëm i të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.   Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut është një tjetër akt që njihet si sinonim i garantimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Në korpusin e të drejtave dhe lirive të njeriut, liria e të menduarit është e drejtë absolute pa të cilat ekzistenca njerëzore bëhet e pamundur, në aspektin fizik dhe mental. Kjo i jep lirisë së të menduarit një natyrë universale dhe nuk lë vend për interpretime të ndryshme në bazë sistemesh të ndryshme vlerësimi, apo zhvillimi të ndryshëm social-ekonomik, politik, apo të çfarëdo diference tjetër që mund të ekzistojë. Në këtë mënyrë, liria e të menduarit synon të mbrojë ata që nuk kanë të njëjtat bindje dhe në thelb kanë tolerancë dhe respekt për pikëpamjet e tjetrit. Në të kundërtën, liria e shprehjes ka një ndërlidhje të drejtpërdrejtë me të drejtat e të tjerëve. Për më tepër, liria e shprehjes mund të bjerë në kundërshtim me interesa të caktuar të përgjithshëm, të cilët supozohet se mbrohen nga shteti, siç janë sekreti shtetëror, siguria kombëtare, morali publik, cenimi i rendit publik etj. Kjo do të thotë se liria e shprehjes nuk mund të jetë e një natyre absolute, sepse atëherë të drejtat e tjera dhe interesat publikë do të zhvendoseshin në plan të dytë.

Pikërisht për shkak të natyrës jo absolute të lirisë së shprehjes, kjo e drejtë mund t’u nënshtrohet kufizimeve të caktuara, me qellim që të mbrojë të drejtat e të tjerëve ose të mbrojë interesa të caktuar publikë. Shteti, në mënyrë të ligjshme, mund ta kufizojë lirinë e shprehjes, në rastet e parashikuara nga paragrafi i dyte i nenit 10 te Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Vetëm në këto raste kufizimet e lirisë së shprehjes do të quhen në përputhje me Konventën. Megjithatë, Gjykata Europiane i konsideron kufizimet si të pranueshme vetëm nëse ato janë të parashikuara në ligj dhe vlerësohen si të nevojshme në një shoqëri demokratike.

Natyrshëm lind pyetja: kush e përcakton se një kufizim i lirisë së shprehjes është i parashikuar ne ligj dhe është i nevojshëm në një shoqëri demokratike? Gjykata Europiane sugjeron se autoritetet  kombëtare (organ administrativ, gjykatë) kanë detyrë dhe të drejtë të vlerësojnë faktet sipas kontekstit shoqëror. Në rrethanat konkrete të një vendi, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka pranuar pikëpamjen që në parim autoritetet kombëtare apo lokale ndodhen në një pozicion më të mirë për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar nevojën e kufizimeve të caktuara, sesa një gjykatë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Gjykata e ka theksuar se mënyra me anë të së cilës autoritetet do ta ushtrojnë këtë liri veprimi, do të mbikëqyret nga ana e Gjykatës, duke marrë parasysh ndryshimet që ekzistojnë ndërmjet vendeve lidhur me konceptime të ndryshme jo vetëm në aspektin social, por edhe politik apo kulturor.

Ndërkohë, zhvillimet teknologjike kanë sofistikuar dhe mjetet për realizimin e lirisë së shprehjes. Përdorimi apo keqpërdorimi i portaleve në komentet online solli si nevojë hartimin e Deklaratës së Lirisë së Komunikimit në Internet, miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, më 23 Maj 2003, sipas së cilës liria e komunikimit në internet nuk duhet të cenojë dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore të të tjerëve. Si në çdo aspekt të jetës, shteti është rregullator i shoqërisë dhe, për këtë arsye, është detyrë dhe përgjegjësi e tij të normojë këtë rregull sjelljeje, duke parashikuar kufizimet e arsyeshme ligjore për të vendosur një raport të drejtë midis stabilitetit të shtetit demokratik dhe integritetit moral të personit, i cili është dhe subjekt i akuzave, fyerjeve e sharjeve sidomos në portalet online, me qëllim shmangien e nxitjes së urrejtjes, dhunës dhe intolerancës. Pikërisht përhapja dhe shqetësimi nga këto dukuri aktualizuan diskutimin për lirinë e shprehjes, kufizimet e saj dhe keqpërdorimin e kësaj lirie. Së fundi është në diskutim mediatik, por dhe në strukturat përkatëse legjislative, iniciativa për disa ndryshime ligjore pikërisht në një moment ku media sociale po merr gjithnjë e më shumë terren dhe hapësirat e disponueshme për komente pas çdo artikulli shoqërohen ne pjesën më të madhe me shprehje denigruese dhe fyese, duke tejkaluar normat e etikës duke lënduar personat artikullshkrues, por edhe  familjarët e tyre. Pikërisht kjo nismë tenton të vendosë disa rregulla loje, thënë ndryshe, disa kufizime në ushtrimin e të drejtës dhe lirisë së shprehjes.

Draft-ligji “Për një shtesë në ligjin Nr.7850, datë 29.7.1994”, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, në nenin 617 parashikon të shtojë në paragrafin, 617/1, sipas të cilës : “Përgjegjësia për publikimet online të komenteve që cenojnë nderin, personalitetin ose reputacionin e personit, administratori i një portali elektronik, përfshirë faqet zyrtare të medias së shkruar ose vizive, është i detyruar të pengojë publikimin e çdo komenti që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi. Mospengimi i publikimit të komentit që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi sipas detyrimit ligjor të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, e ngarkon administratorin e portalit elektronik me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar….”. Dëmi i shkaktuar sipas këtij neni klasifikohet si dëm jopasuror për cenimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të personit…. Sipas këtij amendimi përcaktohen mënyrat dhe masat e nevojshme që duhet të ndërmerren nga administratorët e portaleve online për fshirjen në kohë të komenteve që cenojnë nderin, personalitetin apo reputacionin e një individi. Si çdo ide e re që nxit debatin edhe kjo nismë është kthyer në objekt diskutimi dhe si për çdo gjë dhe kurdoherë ka dy palë që cenohen ose mbrohen nga kufizimet ligjore që mund të vendosen. Pyetja që mund të kërkojë një përgjigje është: A është e nevojshme të kufizohet kjo e drejte, nëse po, si mund të realizohet me qëllim që të mos kufizojë vetë thelbin e të drejtës, si e drejtë themelore e njeriut?

Demokracia jonë është ende shumë e brishtë dhe ka nevojë për ekuilibra dhe raporte të drejta. Shpesh referimet në praktikat më të mira europiane, jo gjithmonë janë adekuate dhe të zbatueshme në kontekstin shqiptar sepse pjekuria e shoqërisë sonë, kultura dhe qytetaria civile lënë për të dëshiruar. Në një vend ku akoma konkurrojnë ligjet e shtetit dhe shpesh zakonet e kodeve kanunore, është vështirë t’i japësh hapësirë lirisë së shprehjes dhe fjalës pa përcaktuar disa kufizime të arsyeshme qoftë edhe të përkohshme. Kjo duhet konsideruar si një mjet i nevojshëm edukativ deri sa shoqëria jonë të jetë gati për t’iu përgjigjur ritmit dhe hapave të vendeve të tjera europiane.  Dhe nëse në shoqëritë më të zhvilluara demokratike kjo çështje është pjesë e një debati dhe diskutimi në trajtesat juridike, në shoqërinë tonë me një kulturë të munguar tolerance dhe mirëkuptimi, gjykoj se është krejtësisht i arsyeshëm monitorimi dhe parashikimi i disa kufizimeve.

Natyrisht në kufizimet që mund t’i bëhen kësaj të drejte në referim të akteve ndërkombëtare është e nevojshme të zbatohet parimi e proporcionalitetit, duke vlerësuar nëse qëllimi është në proporcion me mjetet e përdorura për të arritur këtë qëllim? Gjykata Europiane mjaftohet me faktin nëse ka ekzistuar me të vërtetë një nevojë shoqërore imperative që ka sugjeruar ketë kufizim të posaçëm mbi ushtrimin e lirisë së shprehjes. Në konfliktin midis moralit dhe lirisë së shprehjes në zbatim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata Europiane i jep hapësirë dhe liri vlerësimit të autoriteteve kombëtare, duke u justifikuar me specifiken e “moralit” në çdo shtet anëtar, sepse nuk ekziston një koncept uniform për moralin i gjithëpranuar nga të gjitha vendet anëtare.

Në mediat tona në kushtet e kulturës të pamjaftueshme në keqpërdorimin e fjalës, fyerjet publike, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie për fjalorin e përdorur apo shpifjet që prekin dinjitetin, nderin dhe moralin, sidomos në komentet online ku personat që shfryjnë mllef iu ruhet anonimati, po nxit një klimë shoqërore konfliktuale me një ndikim psikologjik jo vetëm ndaj autorëve që japin opinione, shprehin ide apo gjykime për probleme të ndryshme,por po kthehet në një ekspansion shoqëror në të gjitha format e dhunës verbale, psikike, apo dhe fizike. Anonimati që siguron kjo mënyrë komunikimi lehtëson përdorimin e gjuhës së urrejtjes, por ndikimi negativ nuk qëndron vetëm te personat konkretë që u cenohet dinjiteti dhe personaliteti, pasi dëmi  është më i madh se kaq. Kjo mënyrë komunikimi intensiv nëpërmjet komenteve online ka kapacitet të dëmtojë rëndë qetësinë, cilësinë e jetës, por dhe vetë strukturën sociale duke ngjallur urrejtje, përçarje, duke servirur kështu një model sjelljeje të papranueshëm, ndërkohë që rruga e vetme për një shoqëri të shëndetshme është kultivimi i pluralizmit kulturor, tolerancës, pranimit të tjetrit me idetë sado të ndryshme qofshin nga çfarë ne mendojmë dhe gjykojmë. Komentet e përdoruesve të portalit, të cilat shkojnë përtej kriticizmit të pranueshëm dhe janë ofenduese që cenojnë nderin dhe reputacionin e një personi duhet të parandalohen nga bërja publike. Nxitja e opinionbërjes, debatit dhe kriticizmit duhet të orientohet rreth ideve të tjetrit dhe jo të shigjetohet në drejtim të fyerjeve dhe sharjeve.

Në iniciativat e fundit ligjore, sipas draftit të paraqitur në Parlament, në çdo rast kufizimet që parashikohen gjatë ushtrimit të lirisë së të shprehurit nuk mund të vënë në rrezik vetë të drejtën. Komiteti i OKB-së për të Drejta të Njeriut ka ritheksuar se lidhja mes të drejtës dhe kufizimit, mes normës dhe përjashtimit, nuk duhet të kthehet në të kundërtën e saj. Çdo kufizim që parashikohet të vendoset duhet t’i nënshtrohet një testi akumulativ: Ato duhet të përcaktohen me ligj, i cili duhet të jetë i qartë dhe kuptueshëm për të gjithë, duhet të vendosen më qëllim mbrojtjen e reputacionit të të tjerëve, sigurisë apo rendit publik, duhet të vërtetohet si nevojë e domosdoshme dhe mjeti i përdorur të jetë në përputhje me qëllimin që kërkohet të arrihet.

Me çfarë ndodh aktualisht në portalet me komentet online, përgjigjja e pyetjes nëse duhet të vendosen disa rregulla të qarta loje, përgjigjja shkon në favor të vendosjes së një kufizimi të arsyeshëm, pasi liria e shprehjes e ushtruar përmes mjeteve të komunikimit online, është kthyer shpesh në një mjet abuzimi dhe cenimi të të drejtave dhe lirive të ligjshme të shtetasve. Por, pavarësisht këtij justifikimi, çdo nxitje për ndryshim ligjor duhet studiuar me kujdes, duke u orientuar nga aktet komunitare për të vendosur një raport të drejtë midis lirisë së shprehjes në internet dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të tjerëve. E rëndësishme është të reflektohet, të zgjohet debati teorikisht dhe praktikisht për gjetjen e mjeteve dhe mekanizmave të përshtatshëm ligjore, për këtë koncept që është në metamorfozë konstante dhe e tillë do të vazhdojë të jetë, sepse vetë liritë dhe të drejtat e njeriut evoluojnë sikurse gjithë shoqëria njerëzore.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s