Modeli i Sandrit në shtypin shqiptar dhe Qazimi

Mero Baze

Ka një irritim nga një deklaratë e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, duke shkëmbyer fjalë me një gazetar në konferencën për shtyp. Irritimi vjen nga fakti që Qazimi i shpjegon me qetësi dhe një sinqeritet tronditës gazetarit, sesi funksionon shtypi në Shqipëri. I shpjegoi, se këtu shtypi është i lidhur me pushtetin, se ka interesa dhe se në fund të fundit, pronarët mërziten kur i bie më qafë pushtetit dhe kësisoj, mund ta pësosh dhe t’i për këtë pyetje.

Është e vërtetë, që e gjitha është nisur të jetë një shantazh, por në të vërtetë është një perlë për nga mënyra sesi është thjeshtuar imazhi i gazetarisë shqiptare tek një pushtetar lokal në Shqipëri.

Qazimi as vret, as burgos dot njeri, por thjeshtë ishte duke i qarë hallin gazetarit, se po t’i ankohej pronarit, mund ta pësonte.

Pronari i gazetarit në fjalë është Aleksandër Frangaj.

Tani më falni, ç’faj ka Qazimi që ka 23 vjet në poltikë dhe ka krijuar një ide për shtypin shqiptar përmes Sandrit? E ka parë në vitin 1997 kur hapi Klanin të egër kundër Berishës, duke kërkuar burgosje të tij, duke e censuruar e duke u ulëritur gazetarëve të mos i drejtonin mikrofonin. Kësisoj filloi të pasurojë televizionin, të privatizojë palestra sportive, të marrë para publike dhe të ecë përpara. Ka parë gazetarë të rëndësishëm, të medias së tij që janë pushuar në atë kohë nga puna, se i prishnin punë Sandrit, siç ishte Bushati apo Shkullaku. Pastaj e pa përsëri në vitin 2005 krah Berishës, atij që kishte luftuar deri në vitin 2005. E pa duke bërë gjëra edhe më të mëdha. Pas një ngurimi të lehtë vitin e parë, për tetë vite rresht, krah Berishës e pa të bëhej milioner, të ndërtonte pallate mes Tiranës, të shtonte nga gjashtë kate dhe t’i legalizonte, të merrte aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” e të ndërtonte, duke i kthyer destinacionin, të ishte sekser në punë publike e të merrte miliona euro nga ministritë për fushata propagandistike. Pa përsëri se disa gazetarë që e kruajtën, përsëri i hoqi dhe këtu e hëngri përsëri Bushati.

U përdor egër kundër ish-opozitës, mallkoi Edi Ramën dhe i montoi dhe skemë vrasje, sesi kish vrarë më 21 Janar në bulevard protestuesit e vet, mbrojti vjedhjen e votave nga Lulzim Basha, mbrojti Shkëlzenin kur bëri gjëmën në Gërdec dhe mosarrestimin e Mediut.

Pastaj e pa përsëri në vitin 2013. Përsëri harroi ç’kish bërë, u afrua me Ramën, bëri sikur u mërzit me Doktorin, që nuk i shkoi në emision Fevziut, mori një leje të re  ndërtimi në Qerret për të prishur fushat sportive e për të bërë vila, vazhdoi punët që kishte nisur me Berishën, shlyente faturat e energjisë elektrike me reklama dhe vazhdoi përpara.

Tani ngrihet një gazetar i Sandrit dhe i bën një pyetje provokuese Qazimit. Mendohet pak Qazimi i shkretë dhe nuk i dhimbset vetja, por ky djali.

Mendon ç’ka bërë Sandri këto vite, si e ka mirë me pushtetin gjithmonë dhe si mund ta heqë këtë ditëzi nga puna pse ka bërë pyetje pa leje dhe ia thotë me sinqeritet.

Tani ne të gjithë e njohim edhe Qazimin, edhe Sandrin dhe mes faktit që ai është i shqetësuar nga gazetari dhe faktit që mendon vërtetë se gazetari mund ta pësojë nga ajo pyetje, besojmë këtë të dytën. Qazimi me sinqeritetin e tij prej babaxhani, në fakt na ka pështyrë të gjithëve në fytyrë për të na treguar se na ka parë që kur vjen puna tek pushteti, pronarët i sakrifikojnë gazetarët. Më shumë sesa ulërima ndaj Qazimit, sot gazetarët duhet të ulërasin ndaj nesh, botuesve dhe pronarëve të shtypit, që kemi provuar se kemi bërë gjeste të tilla. Qazimi ka parë pa flet dhe e kishte me aq sinqeritet atë që tha, sa më shumë do isha ndjerë i turpëruar si gazetar sesa si i kërcënuar. Të bësh betejë si gazetar, të kërcënohesh, të goditesh, të maskarohesh apo futesh në burg, është një farë historie, por të të qajë hallin një shtetar, se mund të mbetesh pa punë po pyete, është më shumë sesa poshtëruese për standardin ku kemi katandisur shtypin.

Ajo për të cilën foli Qazimi është plaga reale e gazetarisë sot në Shqipëri. Ne mund të vrapojmë t’i themi Qazimit “Mbylle gojën” dhe mos e përsërit, por ai do çuditet shumë dhe do vazhdojë të thotë “ngadalë mor djem, se do t’iu heqin vërtetë nga puna”. Dhe se ka keq!

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s