Televizion publik apo politik?

tvsh-tjeterNga Ivana TOMÇO  Jo çdo gjë që ne e quajmë moderne, do të thotë progres. Për shoqërinë apo për njerëzimin, progres do të thotë zhvillim, përmirësim, transformim progresiv, shtim dijesh dhe njohurish. Jeta moderne është tashmë rehati, shpejtësi dhe progres. Por, a vlen kjo për të gjitha aspektet e veprimtarisë sonë?

Së shpejti, Televizioni Publik Shqiptar, i vetmi që siguron kuadrin e nevojshëm për përhapjen dhe konsolidimin e vlerave të domosdoshme për jetën kolektive, do të gjendet përballë ndryshimeve të mëdha. Transmetimet analoge do t´ja lënë vendin transmetimeve numerike. Ky proces pritet të transformojë thellësisht të gjitha veprimtaritë mediatike. Realizimi i këtij misioni të ri, kërkon një transformim rrënjësor të të gjitha strukturave editoriale dhe bashkë me këtë, krijimin e strategjive për përballimin e rreziqeve të pashmangshme që ka brenda një transformim i tillë. Cili do të jetë tani e tutje, vendi i Transmetuesit Publik? A do të forcohet ai, apo do të dobësohet?

Për të kuptuar më mirë sfidat me të cilat do të përballet Transmetuesi Publik modern, ndërkohë që teknikat dhe strategjitë mediatike njohin zhvillime të ndjeshme, kërkohen mjete analizuese dhe krahasuese. Qasja ligjore e domosdoshme, që nevojitet për të analizuar ndryshimet e rregullave dhe zbatimin e tyre, konform kërkesave të debateve politiko- shoqërore, duhet plotësuar me qasje dhe terma të ekonomisë politike dhe informacionit e komunikimit, me qëllim që të kuptohen zhvillimet konceptuale dhe strategjike të Televizionit Publik dhe rolit të tij vendimtar në sistemin mediatik. Individi modern disponon sot burime të ndryshme për të eksploruar një univers mediatik, pa dyshim më të pasur dhe më të hapur se para 20-30 vjetësh. Por, ky peisazh nuk i korrespondon situatës që ne dëshirojmë. Televizioni komercial agresiv mbetet burimi kryesor i informimit dhe i argëtimit për shumicën e popullsisë dhe veçanërisht për njerëzit që nuk janë të lidhur me internetin. Gjinitë kryesore popullore janë telenovelat dhe gjini të tjera të imponuara. Me një fjalë, ne shfaqemi si konsumatorë jo të lirë, madje të nënshtruar ndaj një morie gjinish të kufizuara televizive, edhe këto të ndërprera e të dominuara vazhdimisht nga reklamat, ndërkohë që detyra jonë nuk është vetëm të sigurojmë audiencën. Përkundrazi, duhet të guxojmë, të ndërmarrim rreziqe e të provojmë role të guximshme.

Roli ynë, i Televizionit Publik për të cilin flasim, është të shkojmë përtej tregut, të përpiqemi jo vetëm të kënaqim teleshikuesit, por t´i vëmë ata në mendime, t´i habisim me gjëra të reja. Duhet të ecim përpara publikut, por nga ana tjetër, jo shumë shpejt, në mënyrë që të mos e humbasim atë.

Një problem me të cilin përballemi shpesh, është pavarësia e mediave publike përballë instancave politike. Ky është një nga kushtet e domosdoshme të funksionimit të medias, në sistemin demokratik që ne aspirojmë, me qëllim që ajo të mund të ofrojë një forum debatesh të vlefshëm për të gjitha grupet dhe orientimet politike të pranishme në shoqëri. Siç e kam theksuar edhe herë të tjera, kultura politike e një vendi, kushtëzon fort shkallën e kësaj pavarësie (ose varësie) në raport me pushtetin në fuqi dhe organizatat politike. Parimi i pluralizmit të brendshëm, kërkon që mediat publike të jenë një hapësirë shprehjeje, argumentimi dhe debati që i shërben të gjitha shtresave të pranishme në gjirin e shoqërisë.

Debatet që polarizojnë fort opinionin publik, bëhen shkak konfrontimi midis grupeve me opinione të ndryshme. Kështu, në vend që të veprojnë pozitivisht, ato futen në një konflikt ideologjik, duke mbajtur kështu peng teleshikuesit. Një ideologjizim i tillë i debateve nga mediat, mund të shihet si mungesë kulture apo si shenjë papjekurie e kulturës politike, në raport me debatin demokratik ideal, atë që ne aspirojmë. Nga ana tjetër, shpesh emërimi i kuadrove drejtues në krye të mediave publike, komprometon rëndë pavarësinë e këtij sektori dhe parimin e shumëllojshmërisë së opinioneve të pranishme në mediat publike.

Televizioni publik, për fat të keq, po konfrontohet me probleme të rënda dhe po përjeton një krizë të rëndë identiteti. Në vend që t’ i shërbejmë gjithë shoqërisë, ne po i përkasim gjithnjë e më shumë sferës politike. Në emër të publikut, do t’ ju lutesha të gjithë atyre që kanë në dorë vendimmarrjen, që me vullnet të mirë, me një politikë publike koherente, dhe një kuadër ligjor të përshtatur mirë me kontekstin ekonomik dhe teknologjik të botës së globalizuar, t’ u sigurojmë mediave publike, mjetet dhe mënyrat më të efektshme, që sigurojnë përmbushjen e misionit të tyre në një shoqëri demokratike. Kësisoj, media do të jetë në gjendje të formojë qytetarë që do të mbështesin proceset demokratike.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s