RTSH i zvogëlohet “shtëpia”, gjysmën e “zapton” AMA, në shtator ikin edhe 50% e punonjësve

Duket, se pas 20 vitesh rënie të nivelit programor, “miti” fuqiplotë i Radio-Televizionit Publik Shqiptar, po bie edhe si rezidencë fizike. Ndërtesa e këtij institucioni mediatik, i cili paguhet nga taksa prej 100 lekë në muaj, që shteti u merr familjeve dhe bizneseve shqiptare me dhunë, nuk do të jetë më vetëm “rezidencë” e Radio Televizionit Publik Shqiptar, por brenda tij, madje me hapësirë të barabartë do të “strehohet” edhe një tjetër institucion shtetëror, që ka lidhje me licencimin dhe kontrollin mbi mediat audiovizive. Qysh prej datës 15 qershor 2015, zyrtarisht me “letra” qeverie, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) është transferuar në ndërtesën e Radio-Televizionit Shqiptar, duke “rrëmbyer” 2 kate të kësaj godine. Edhe pse vendimi ka 10 ditë që ka hyrë në fuqi, institucioni kombëtar shtetëror “AMA”, nuk është vendosur ende në godinën e Radio Televizionit Publik Shqiptar, për shkak të mos-lirimit të mjediseve prej RTSH.

Sipas Vendimit Nr. 468, datë 03. 06. 2015, publikuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 98, datë 15 qershor 2015, godina e Radio Televizionit Shqiptar me sipërfaqe ndërtimi 6202 metër katrore është ndarë në dy pjesë të barabarta, ku njëra pjesë, ose më saktë gjysma e godinës, i ka kaluar në përdorim për mjedise pune Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), nga 10 mijë e 177 metër katrore që është krejt sipërfaqja e truallit në pronësi të RTSH. Me VKM Nr. 468, datë 03. 06. 2015, urdhërohet kalimi në përgjegjësi administrimi nga Radio-Televizioni Shqiptar, tek Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) i katit të parë dhe katit dytë të godinës, që deri tani janë ende në përdorim si “Atelier për dekorin e Radio-Televizionit Publik Shqiptar”. Radio Televizionit Publik Shqiptar i mbeten vetëm 2 katet e larta të godinës. Ndërkohë, që sipas kësaj VKM-je, institucioni “AMA” është urdhëruar të liroj dy mjediset aktuale të punës, konkretisht katet 4-5 që ka në përdorim dhe të oborrit të brendshëm në ndërtesën e ish-Hotel “Drini” në qendër të Tiranës, në të cilin AMA është vendosur qysh prej 15 vitesh, me Urdhrin e KM Nr. 67, datë 03. 03. 2000.

Duket, se përgjysmimi i hapësirave fizike të mjediseve të punës të RTSH është shenja e një reforme numerike të atyre që paguhen në këtë institucion i cili prej më se 20 vitesh nuk shikohet as nga ata që e drejtojnë dhe që përgatisin programacionin. Faktikisht, RTSH është tjetërsuar në një “pashallëk pune rehatie e të sigurtë në paga” për një grup individësh që e kanë tjetërsuar televizionin publik shqiptar në një “qendër zëri me figurë”, ose në më saktë në një “azil pleqsh”, 40% e të cilëve duhet të kishin dalë në pension që përpara 5-10 vjetesh, por që nuk ikin prej vendeve të punës, ose edhe kur ikin e trashëgojnë vendin e punës si pronë private, në vend pune për familjarët e tyre. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, kryeministri Edi Rama është duke “ideuar” një projekt për “rilindjen” e RTSH, hapi i parë i të cilës, mendohet të të hidhet në muajin shtator 2015, me shpalljen e vendimit të qeverisë për përgjysmimin e numrit të punonjësve të këtij institucioni, “ushtria” e të cilëve është 30% më e lartë se numri i punonjësve të SHISH në nivel kombëtar, ose sa numri i punonjësve të Ministrisë së Kulturës në krejt vendin. Një fakt: Përveç 1120 punonjësve që paguhen në RTSH, paguhen edhe 294 “specialistë” të jashtëm, të cilët faktikisht marrin honorare mujore në vlerë 3-5 herë më të larta se pagat mujore zyrtare të afro 60% të punonjësve të RTSH. Reforma në përgjysmimin e numrit të punonjësve të RTSH, mendohet të largojë “ushtrinë parazite” të punonjësve të disa sektorëve e programeve që janë vetëm “futje kasetash” me kukulla e dokumentarë që përsëriten nga 5-6 herë në çdo 24 orë” dhe kanë ekipe rrogëtarësh edhe me përbërje grup-familjarësh me nga 30-40 punonjës e shefa mbi shefa…

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s