Gazetarë nga BE në Shqipëri: T’i tregojmë Europës çfarë po ndodh këtu

Rudina Hoxha

TIRANA – 12 gazetarë nga Bashkimi Europian janë duke zhvilluar një vizitë treditore në Shqipëri (1-3 korrik) për të parë me sytë e tyre këtë vend rreth, për të cilin kanë dëgjuar shumë. Pjesë e fokusit të tyre është edhe ndikimi i fondeve IPA të BE-së në transformimin dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Grupi i gazetarëve përfaqëson disa prej gazetave, revistave dhe radiove më prestigjioze në Europë si “Financial Times”, “Wiener Zeitung”, Austri, “L’Espresso” (Itali), “The Copenhagen Post” (Danimarkë), “Deutschland Radio” (Gjermani), “Lider Business Weekly” (Kroaci) apo “Respekt” (Republika Çeke) e të tjera. Gazetarët e nisën këtë vizitë me një takim me ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Zj. Romana Vlahutin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati, ditën e mërkurë si dhe me disa gazetarë shqiptarë për të mësuar më shumë për lirinë e medias në Shqipëri. Pjesë e axhendës së tyre janë edhe vizitat në shumë qytete të vendit ku Bashkimi Europian ka investuar projekte të ndryshme në ndihmë të komunitetit.

Ashtu edhe siç pritej, interesi i tyre ishte tepër i madh për të ditur më shumë se çfarë po ndodh në Lazarat si dhe për efektet e mundshme të krizës greke në Shqipëri. Por shumë prej tyre ishin shumë pak të informuar për vendin tonë, kështu që nuk munguan pyetjet nga të gjitha fushat. Megjithëse jo larg vendit tonë, për gazetarin kroat, Vanja Figenwald i “Lider Business Weekly”, kjo është vizita e tij e parë në Shqipëri. “Kam ardhur për të mësuar më shumë për Shqipërinë, kam dëgjuar për ish-diktatorin Enver Hoxha dhe kam ardhur të shikoj se si duket pas kaq shumë vitesh. Kam dëgjuar shumë gjëra për të, disa gjëra të mira dhe disa të këqija. Kështu, doja ta shihja me sytë e mi si e perceptoj vetë”, thotë ai. Dhe pikërisht këtë perceptim më të qartë do ta tejçojë në Bruksel Martyna Czarnowska, e cila raporton nga Brukseli për  gazetën austriake, “Wiener Zeitung”. “Jo shumë vende nga Europa Perëndimore janë të informuar mbi Shqipërinë. Jo vetëm për të, por edhe për rajonin në përgjithësi, sepse duket sikur ky i fundit është pak jashtë fokusit të BE-së”, thotë ajo. “Mendoj se është e rëndësishme për të raportuar për Shqipërinë, për ti treguar BE-së se çfarë po ndodh këtu dhe se si shqiptarët po përpiqen të futen në BE. Domethënë për t’i mbështetur këta njerëz”, shton ajo. Lucie Kavanova, e revistës çeke “Respekt”, në vizitën e saj të tretë në Shqipëri është tërhequr më shumë nga turizmi. Ajo ka vizituar shtigjet e ngritura në disa nga malet e  Shqipërisë, një projekt ku ka investuar Çekia më së shumti. “Shqipëria është një vend popullor për turistët çekë. Ndërsa po vizitoja vijëzimet në shtigjet malore këtu në Shqipëri, pata fatin të takoja edhe turistë çekë. Sot shkova edhe në Berat, kam qenë atje 7 vite më parë dhe pashë sa shumë kishte ndryshuar, më shumë restorante, më shumë hotele, kështjella ishte rinovuar, ndërsa shumë projekte të tjera ishin në proces. Pra, pashë konkretisht se si fondet e BE-së po e ndryshojnë këtë qytet”, tha ajo. Por interesi se si këto fonde po  e ndryshojnë Shqipërinë edhe në kuadrin e sistemit të drejtësisë është tepër i madh nga ana e gazetarëve. Reporteri nga Rumania Andrei Luca Popescu është i interesuar të mësojë më shumë për mënyrën se si Shqipëria po e lufton korrupsionin. “Sepse ne në Rumani kemi pasur dhe kemi të njëjtin problem, por po e luftojmë aktualisht fort. Siç e shoh unë, Shqipëria më duket si Rumania 20 vite më parë. Ne ngjasojmë pak a shumë në këtë drejtim. Asnjë zyrtar nuk është futur në burg për korrupsion dhe ky më duket edhe rasti i Shqipërisë tani. Ju po kapni vetëm peshqit e vegjël, Ndërsa në Rumani kemi rreth dy vite që po kapim peshqit e mëdhenj dhe ato po bien në rrjetë një e nga një”, thotë Popescu. Çdo vit, Komisioni Europian sjell në Shqipëri një grup gazetarësh të përzgjedhur për t’u njohur me zhvillimet më të fundit të Shqipërisë. Vitin e kaluar, gazetarët europianë patën rastin t’i drejtonin pyetje dhe të bashkëbisedonin me kryeministrin Edi Rama. Nën IPA II, ndihma financiare e BE ndaj Shqipërisë për periudhën 2014-2020 është plot 649.4 milionë euro.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s