Kriza e TVSH, sistemi dhe mendësia

Bedri Islami

Prej më shumë se një viti, Radio Televizioni Shqiptar është në fakt pa drejtorin e Përgjithshëm. Drejtori i mëparshëm Petrit Beci, pasi dha dorëheqjen, shikoi jo pa çudi se vendin e tij nuk e zuri askush edhe pas më shumë se 16 muajve, kur kishte menduar, jo pa të drejtë se kjo do të ishte një çështje ditësh.

Tani është përsëri e njëjta gjendje kaotike. RTSH ka drejtor të përgjithshëm, të komanduar, dhe nuk ka drejtor të përgjithshëm. I vetmi stacion publik Radio e TV, më i hershmi, fillestari, si mund të quhet, tashmë është në mëshirën ditore të fatit, të njerëzve që e kontrollojnë nga larg e nga afër; në këtë lënien mëshirore aty ndodhin lëvizje, heqje e emërime, dhe e gjithë kjo ka risjellë edhe një herë një fakt të dhimshëm: audienca e tij është e papërfillshme dhe si duket, ose dikush dëshiron ta lërë kështu, pse nuk janë të aftë të bëjnë ndryshimin e duhur,oqftë edhe për shkak të mërzisë dhe mërisë politike.

Tani, në garë për postin e drejtorit të përgjithshëm, kanë mbetur dy figura të njohura, herë në publicistikë e herë në politikë, që të dy burra, më pas do e spjegoj pse e theksova këtë; dhe për të katërtën ose të pestën herë dështon zgjedhja e njërit prej tyre. Blloku i mazhorancës voton për njërin prej tyre, blloku i opozitës voton për tjetrin; një tjetër i propozuar dhe mbështetur nga LSI, ndërron kahjen e tij, por zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm kërkon shumicën e cilësuar të anëtarëve të Këshillit Drejtues. Dhe kjo shumicë e cilësuar deri tani nuk është dhënë, ndoshta nuk do të jepet as në ditët e ardhshme dhe ciklimi i asgjësë do të vazhdojë edhe më tej.

Ditë më parë më ra rasti të lexoj imtësisht një raport paraprak të Kontrollit të Lartë të Shtetit për këtë institucion, dhe, megjithse nuk e di fatin e këtij raporti, përsëri, qoftë edhe për këtë fakt, gjërat duheshin shpejtuar.

Ngurrimi për të zgjedhur drejtorin e Përgjithshëm, zgjedhja e të cilit është tani më e vështirë se sa zgjedhja e Presidentit të rRpublikës, nuk është çështje aftësia apo paaftësie e Këshilit Drejtues, i cili u zgjodh për vete pas një maratone të pajustifikuar politike, në të cilën, si edhe më parë, durimi i shumicës ishte i madh dhe arroganca e opozitës ishte jashtë çdo mase.

Deputeti Alfred Peza, njëri ndër njohësit më të mirë të medias sonë, disa ditë më parë propozonte që për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, duhej bërë një amendament shtesë, ose një zgjedhje përmes Parlamentit, për të ndryshuar pikërisht zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm përmes një shumice të thjeshtë, si ndodh në rastin e Presidentit të Republikës.

Natyrisht kjo është një zgjidhje, por është zgjidhje teknike dhe, përsa kohë do të kemi këtë Këshill drejtues, nuk do të mund të ketë asnjë lëvizje. Me sa duket idea e përhapur edhe në institucione të tjera, se e gjithë kjo është një lojë politike për të lënë në këtë post edhe për mjaft kohë kryesin e detyrës, martin Lrka, nuk është një zë i shkretuar, por një kapje e opozitës, ose e një pjese të shumicës, për të pasur një statukuo në RTSH.

Ndërkohë këtë të fundit po e braktisin gjithnjë e më shumë njerëzit, sidomos në qytete, por ende gëzon sikueshmëri të mjaftueshme në zonat rurale, të cilat, edhe për disa kohë do e kuptojnë atë si zëri i shtetit dhe do të ndikohen prej tij.

Por le të marrim rastin ideal: të dyja palët do të bien në një ujdi politike dhe do i besojnë njërit nga të dy kandidatët. Pra, përmes shumicës së cilësuar do të kemi më në fund drejtorin e përgjithshëm të RTSH dhe bashkë me të, ndoshta – ndoshta, edhe ndryshimet e duhura. Sepse për fat të keq, në këtë gjendje që është RTSH, ekziston ose nuk ekziston, kjo nuk është më e rëndësishme.

E pra, të marrim rastin ideal që drejtori i përgjithshëm, pas lëvizjeve politike, do të realizohet. Do të kemi përsëri një burrë drejtor të përgjithshëm. Urrrra.

Hisoria e RTSH ka dëshmuar se sa herë që TVSH është drejtuar nga burra, aq herë ka qenë edhe i dështuar, duke përjashtuar vetëm dy fillesa të ndryshimit. Në monizëm, gjithçka dihej, dalja jashtë rrymës ishte vetëvrasje, sado e vogël të ishte kjo rrëshqitje dhe rasti i Todi Lubonjës e dëshmon këtë. Ka edhe një rast tjetër, që mendoj se nuk është edhe aq i njohur për publikun. Në kohën e luftës në Kosovë, drejtori i atëhershëm i RTSH, Eduard Mazi, duke shkuar shpesh herë kundër një qëndrimi të ngurtë qeveritar, bëri hapjen e TVSH për ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, sado duket e pabesueshme për mentalitetin në Shqipëri, të gjithë këtë e bëri në vedijen e tij, pa asnjë përfitim. Qeveria, kur mendoi se gjërat po dilnin jashtë spektrit të saj, kërkoi ta zevendësonte me Frrok Çupin dhe, dua të mendoj se, vetëm ndërhyrja e ashpër e strukturave të larta drejtuese të luftës, e ndryshoi këtë mendim.

Që në ditën e parë të pluralizmit RTSH është bërë një autoparlant partish, disa herë i neveritshëm. Vitet 1992 deri në ngjarjet e vitit 1997 do të ishin më të skajshmet e këtij nënshtrimi partiak. Si nuk kishte ndodhur asnjëherë në Shqipëri, një drejtuese lajmesh, V.Vokshi, u bë personifikimi i mashtrimit. Kjo kishte ndodhur vetëm në Kosovë, kur një drejtuese lajmesh, e quajtur Hajrije, mori emrin Hajrije spikerica, në përbuzjen e saj.

Asnjëri nga “burrat” që drejtoi RTSH, në kohë të ndryshme partiake, nuk doli nga vetja dhe nga shërbimi i verbër.

Në “konkursin” që u bë disa ditë më parë, kishte edhe kandidate për postin e Drejtorit të Pëgjithshëm, figura të njohura grash intelektuale, mes të cilave edhe Elvira Dones e Mirela Oktrova. Paraqitjet e tyre ishin nga më dinjitozet, spektri i mendimit të tyre dhe i vizionit ishte krejtësisht perëndimor. Si duket, zonja Dones nuk kishte “besimin” e opozitës, si një figurë që kishte qenë disa herë në tehun e llapaqenërisë berishiane; ndërsa zonja Oktrova nuk gëzoi “besimin” e shumicës, pasi kishte qenë e emëruar nga shumica e dikurshme si drejtore e TVSH.

Zoti Peza, në propozimin e tij, i cili është i dobishëm për të ndrequr një ngërç në të ardhmen, është në një vështirësi që atij si një gazetar i njohur, ia imponon politika. Por, ndryshimi i ligjit, ndryshimi i sistemit, nuk e ndryshon mendësinë. Sado të mira të jenë ligjet, sado hapësirë të lejojnë ato për zgjidhje administrative, ato nuk e ndryshojnë mendësinë. Dhe ajo që duhet ndryshuar, mbi të gjitha, është mendësia.

Dhe gjërat duhen bërë nga fillimi dhe fillimi është, depolitizimi i Këshillit Drejtues, kthimi i tij në një hallkë organizuese, kontrolluese e drejtuese, për ato që lidhen me transformimin e këtij institucioni; dhe jo, bindja partiake deri në verbëri.

Nëse duhet ndryshuar diçka, atëherë duhet ndryshuar mosvarja e Këshillit Drejtues nga politika. Që njerëzit aty të mos e ndjejnë veten si përfaqësuies të partisë që i delegoi si komisarë politikë të saj, por si njerëz që kanë autoritetin e tyre, devotshmërinë ndaj së mirës, së bukurës dhe modernes.

Nëse nuk ndryshon kjo, përsëri do të kemi blloqet partiake brenda në një institucion, që ligjin e parë të tij duhet të ketë depolitizimin.

Më vinte rëndë kur e shihja këtë stacion në ndërrimin e pushtetit, dy vite më parë: Të njëjtët që me plot zë e cilësonin liderin e opozitës së asaj kohe dhe forcën që drejtonte si regres e kërcënim për vendin, të njëjtët, me po atë zë e po atë figurë, bënin hymnet e para.

Depolizitimi duhet të fillojë që nga redaksia e lajmeve, që është bërë një strukturë në vete, brenda struktueës, që nuk varetz, as një udhëri të brendshëm as nga drejtoria e TVSH e as nga askush. Aty ka njerëz të aftë për të bërë punë të mira, ka njerëz që janë të devotshëm ndaj së mirës dhe së bukurës, të aftë për të bërë emisione njëlloj të shikuara, në mos mëshumë, se sa ato që ndodhin në Top Channel apo në TV Klan.

Në fakt, duam apo nuk duam, edhe në përzgjedhjen e “dyshes” së fundit kandidate, fitoi militantizmi dhe mëria politike. Pa dashur të paragjykoj askënd, ndoshta nga kjo vjen edhe vazhdimi i militantizmit të verbër të kaheve politike në Këshilin Drejtues.

Njerëzit në TSH duan të punojnë, ata nuk duan të jenë pjesë e lojës politike dhe që urdhërat e mëngjezit të kundërshtohen nga urhërat e darkës. Lerini të punojnë. Pastaj ndryshojeni ligjin, gjithnjë duke pasur parasysh se, për fat të keq, nuk kemi një opozitë me mend, por një forcë gardiane, që kudo e përmes gjithkujt që i përket përcjell frymën shqupase në vendin që i caktojnë.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Dita

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s