Televizioni Publik dhe kriza e Këshillit Drejtues

Nga Kolec Traboini

E kam pas një borxh për të folur publikisht për tërë ato makinacione me të cilat u zgjodh Këshilli i Televizionit, e ku gjithçka u manipulua nga llogoret e Partive. Nuk është e nevojshme të kesh qenë ushtarak për të kuptuar se ç’janë llogoret, ku nëse bie shi të mbyt balta. Po le të vazhdoj pikërisht aty ku mbaron shkrimi “Si zgjidhet kriza në Radiotelevizionin Publik? -nga Alfred Peza- në të cilin si në profani na sjell mendimin se krizat na i zgjidhin pikërisht ata që i krijojnë.

Po zoti Alfred, zoti deputet, ka kaos në forumet drejtuese të një institucioni siç është Televizioni Publik, që duhet të ishte i pavarur, e ky kaos ndodh se gjithçka e bën politika dhe anëtarët e këshillit. Kur u zgjodhën më së shumti u mor në konsideratë kriteri politik dhe aspak profesionalizmi, madje në këshill prej 10 anëtarësh zgjodhët pikërisht tre piktorë e një skulptor, sikur të ishte këshilli i Galerisë së Arteve. Kasta politike e ka politizuar aq keq këtë vend, sa as në kohën e diktaturës nuk ka qenë.

Mund të ishe drejtues a këshilltar edhe pa qenë komunist, o Alfred Peza. I di ti këto punë mirë, por bën sikur nuk i di. Çfarë pune kanë PS, PD dhe LSI me televizionin publik? Asnjë punë. Veç ngatërresa. Veç regres. Kanceri i Televizionit Publik është pikërisht politika. Jeni ju të partive që i vutë kazmën çdo gjëje në këtë vend.

Televizioni Publik paguhet nga populli dhe duhet që shoqëria civile e jo partitë të bëjnë zgjedhjet për në forumet.

Po ju këtë normë elementare për çdo vend demokratik e të kulturuar e keni kthyer në manovra politike e prapaskena të pështira që çdo ditë na shohin sytë. Në emër të gjoja një progresi që keni në kokë, por që nuk duket në realitet, po ia bëni varrin kësaj shoqërie. Cilit progres?! Ku është progresi? Tek ndarja absurde, 10 të këshillit i përkasin PS, PD dhe LSI?

Ku vemi kësisoj me këtë egërsi për të kapur politikisht çdo pushtet e çdo institucion. Po le të shohim çfarë ndodh në këto Këshilla Televizioni të sajuar në orekse partish. Lexova platformën e njërit nga të dy kandidatët, për të cilin nuk po gjen rehat deputeti Alfred Peza.

Ishte një platformë solide, plot imagjinatë krijuese, me perspektivë vënien e televizionit në një platformë të tillë që të bëhet një dritare ku publiku të shohë vetveten. Por më erdhi çudi se pikërisht atij kandidati i kishin dhënë më pak vota se tjetrit që është rektor në Universitetin e Arteve dhe kërkon të kërcejë nga një kolltuk në një tjetër në sajë të njohjeve dhe privilegjeve që i kanë krijuar pikërisht politika. Nuk u gjend një tjetër të mos kërcente pupthi nga kreu i një institucioni në një tjetër? Të krijohet përshtypja se disa njerëz në sajë të njohjeve, miqve, rrethit duke përfshirë dhe politikën, e kanë një siguri të përjetshme të mbajnë funksione të larta publike.

Pikërisht këtij Këshilli të Televizionit Publik, kjo sajesë e Komisionit të Medias që drejton Alfred Peza, i dha këtij kandidati më shumë vota se tjetrit. Kjo tregon se mendësia e këshillit të sajuar “progresivisht” nga Alfred Peza është për të dëshëruar, që fare pak ka të bëjë me profesionalizmin, sikur të mos e dinë se të drejtosh një institucion publik nuk është e nevojshme të jesh aktor, as të dish si interpretohet një rol e ta plastosh mimikën, por të kesh përvojë në fushën e mjetet e komunikimit masiv. Shihni çfarë bëhet me ndërrimin e kryebashkiakëve, i shporrin anëtarët e një partie humbëse dhe vijnë palikarët e partisë fitimtare. Është kthyer rrotacioni politik në rrotacion për vendet e punës.

Administrata është politizuar deri në absurditet. Në Shqipërinë e esnafëve “progresistë” që trumbetoni ju, nuk gjen as punë po nuk qe anëtar i një partie politike. A e dini realitetin shqiptar ju që shfaqeni si deputet i partisë, sepse partia të caktoi me listë, siç marrin bukën me listë. Nuk kam pasur fare besim se ju do të ishit një progresist, që kur kryetari i PS ju paraqiti me bujë në media sikur çfarë po sillte t’i paraqiste popullit si kandidaturë në Parlament.

Botova asokohe shkrimin “Po vjen Alfred Peza”. Dhe ja ku jemi. Ky këshill është manipuluar i gjithë nga ju. Patët edhe guximin të më hiqnit nga lista e kandidatëve për këshillin e Televizionit në momentet e fundit, një hakmarrje e vogël kjo, për të cilën duhej t’ju skuqej pak fytyra. Edhe pse gjatë një viti ju kam kërkuar shkakun e vërtetë e jo lojëra fjalësh, megjithë premtimin tuaj, asnjëherë nuk më dhatë një përgjigje, as personalisht e as institucionalisht, sepse kërkesën për kandidaturën time në atë këshill e kishte bërë një shoqatë civile e jo partitë tuaja, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, jetimët pra, ata që ju as që i kini në konsideratë, por unë në fatin e tyre jam fort i ndjeshëm.

Ju do të vazhdoni luftën për të vënë në udhëheqje të punëve të kulturës njerëzit që politikisht ju shërbejnë, së pari juve e jo popullit, ju mund t’i hani paratë (se me paratë e popullit keni rroga të majme e makina të shtrenjta), por respektin e popullit kurrë nuk do ta meritoni. Sepse që të meritoni respektin e popullit duhet së pari t’i depolitizoni institucionet e kulturës e jo t’i manipuloni pas kuintave të politikës mediokre shqiptare. Kësisoj nuk ka asnjë mundësi reale apo dhe hipotetike që një njeri a grupim që me veprimet e veta prodhon krizat në institucionet shtetërore e në veçanti ato të kulturës, të na bëhet promotor i zgjidhjes së krizave. Kjo mund të ndodhë vetëm në përralla i nderuar deputet! Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël, u thoshte e madhja Vera Zheji, vogëlushëve në valët e Radio Tiranës kur mbaronte emisionin e përrallave.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s