Letra e Kuvendit që skandalizoi BE kërkonte monopolin e medias

Delegacioni i Bashkimi Europian në Tiranë ka hedhur poshtë i skandalizuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë, për të shfuqizuar një nen në ligjin në lidhje me pronësinë e medias. Përmes një letre që mban datën 26 maj 2015, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i është drejtuar me anë të një letre ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ku i kërkon mbështetje dhe asistencë teknike për ndërhyrjen në një nen të ligjit për mediat, përkatësisht në nenin që ka të bëjë me pronësinë e mediave. Bëhet fjalë për nenin 62, i cili përcakton kufizime për pronësinë e medias duke rregulluar numrin e licencave që mund të mbajë një operator i vetëm; si pasojë, shfuqizimi i tij duket se do të hapë derën për pronarët e disa mediave për të marrë më shumë licenca kombëtare. Kërkesa e Metës konsistonte pikërisht në shfuqizimin e këtij neni, synimi i të cilit është shkatërrimi i lirisë të mediave. Pra, shfuqizimi i këtij neni mund të përbëjë një problem për pluralizmin e medias duke krijuar terren për monopole radiotelevizive. Por kjo kërkesë e Metës ka sjellë një reagim të ashpër të ambasadores Vlahutin.

Pak javë më vonë, në përgjigje të letrës së Metës, ambasadorja Vlahutin jo vetëm që i refuzon Metën asistencën teknike, por shpreh kritika të forta në emër të Bashkimit Europian lidhur me përpjekjet për të monopolizuar mediat. Në letrën drejtuar Metës, Vlahutin shpreh shqetësimin serioz për cenimin e pluralitetit të mediave në vend, si dhe nxitjen përmes këtij ligji të një instrumenti klientelist në fushën e mediave. “Në përgjigje të kërkesës suaj, të datës 26 maj 2015 ku kërkoni që Delegacioni i Bashkimit Europian t’u mundësojë asistencë teknike në lidhje me një amendament të miratuar në muajin prill në Parlament, me qëllim të shfuqizoni kufizimin e pronësisë për të gjitha mediat audiovizuale, dëshiroj t’iu shpreh shqetësimin serioz në lidhje me efektin që do të sjellin ndryshime të tilla në pluralizmin dhe mediat në Shqipëri”, shprehet Vlahutin.

Duke renditur me shqetësim efektet dhe synimet negative të këtij propozimi të Metës, Vlahutin shkruan se Bashkimi Europian nuk mundet që të mbështesë dhe japë ndihmën e tij për një ligj, i cili shkon kundër standardeve dhe parimeve të BE. Ndaj dhe ajo bën thirrje duke kujtuar edhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë që të respektohet ligji siç është aktualisht i parashikuar në ligjin e medias. “Bashkimi Europian nuk mund t’iu mundësojë asistencë në amendamentet që janë kundër standardeve të Bashkimit Europian dhe praktikave më të mira. Ashtu siç edhe theksohej në letrën e Michaela Matuella, shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, Komisioni Europian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë kufizimin e pronësisë ashtu siç parashikohet nga Autoriteti i Medias Audiovizive”, shkruan Vlahutin. Në fakt, letra e Metës drejtuar delegacionit të Bashkimit Europian, erdhi pas reagimeve të ashpra të Këshillit të Europës, si dhe OSBE mbi shfuqizimin e këtij neni. Përfaqësues të KiE dhe OSBE dolën publikisht kundër kësaj nisme, ndërsa shprehën shqetësimin se përmes kësaj nisme mediat kapen dhe liria e tyre cenohet. Letra e Metës drejtuar ambasadës së BE është dërguar fiks pak ditë pas reagimeve të ashpra të KiE dhe OSBE, qëndrimet e të cilave siç shihet edhe në letrën e ambasadores Vlahutin mbështeten plotësisht nga Bashkimi Europian.

Vlahutin-Metës: Po rrezikoni lirinë e medias

Kryetarit të Kuvendit, zotit Ilir Meta,
Në përgjigje të kërkesës suaj, të datës 26 maj 2015 ku kërkoni që Delegacioni i Bashkimit Europian t’u mundësojë asistencë teknike në lidhje me një amendament të miratuar në muajin prill në Parlament, me qëllim të shfuqizoni kufizimin e pronësisë për të gjitha mediat audiovizuale, dëshiroj t’iu shpreh shqetësimin serioz në lidhje me efektin që do të sjellin ndryshime të tilla në pluralizmin dhe mediat në Shqipëri.
Ne besojmë, ashtu si edhe Këshilli i Europës, si dhe OSBE se amendamenti do të ndikonte potencialisht në mënyrë negative konkurrencën midis mediave audiovizuale, duke krijuar rrezikun e monopolizimit dhe duke përqendruar grupet mediatike, duke nxitur kështu një impakt negativ për lirinë e medias në Shqipëri.
Liria e medias dhe pluralizmi janë vlera parësore për Bashkimin Europian dhe roli i medias është vital në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies në një shoqëri demokratike.
Në këtë kontekst, Bashkimi Europian nuk mund t’iu mundësojë asistencë në amendamentet që janë kundër standardeve të Bashkimit Europian dhe praktikave më të mira.
Ashtu siç edhe theksohej në letrën e Michaela Matuella, shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, Komisioni Europian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë kufizimin e pronësisë ashtu siç parashikohet nga Autoriteti i Medias Audiovizive.
E Juaja
Romana Vlahutin
Ambasadore e Delegacionit të BE

Reagimi i ashpër i KiE e OSBE: Mos prekni ligjin e medias

KiE dhe OSBE kanë qenë të qartë dhe të prerë në kërkesën e tyre që autoritetet shqiptare të bëjnë kujdes për shfuqizimin e nenit 62 të ligjit të mediave audivizuale.
Vetëm pak kohë më parë, kreu i zyrës së Këshillit të Europës, Marco Leidekker, tha se heqja e këtij ligji do të përqendrojë median në duar të disa pronarëve dhe autoritetet vendase duhet të kenë parasysh ekspertizën ndërkombëtare.
“Duhet të rishikohet me kujdes neni 62 i ligjit të medias. Në këtë ligj rregullohen licencat dhe pronësia. Heqja e kufizimeve të pronësisë mund të sjellë përqendrim të mediave në duar të pak personave. KiE dhe OSBE do të ofrojnë mbështetje teknike”.
Mesazhe të qarta ka përcjellë edhe Dunja Mijatoviç, përfaqësuesja e OSBE për lirinë e medias. Ajo tha se Shqipërisë nuk i duhet shfuqizimi i këtij neni, duke i kërkuar politikës të mbajë larg duart nga media.
“Zbatimi i ligjit nuk duhet të kufizojë lirinë e medias, këtë duhet ta shmangim. Nxjerrjen e ligjit që kufizon lirinë nuk dua ta shoh në Shqipëri, sepse mediat duhet të bëjnë punën e tyre profesionale. Politika larg duart nga media, sepse nëse një media nuk është e pavarur do të thotë se nuk ka oksigjen”.
Kryetari i Komisionit kuvendor të Medias, Genc Pollo në qëndrimin e tij në lidhje me këtë çështje është shprehur se heqja e këtij neni është dhunim i ligjit të medias për të krijuar monopole.
“Nëse pjesa e tregut e marrë nga katër TV më të mëdha është më e madhe se 50% quhet me risk të lartë. Nëse zaptimi i këtyre frekuencave aprovohet zyrtarisht, atëherë ky studim do të duhet të sajojë një kategori të re për Shqipërinë në mënyrë të veçantë”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s