Një ekzekutim publik për RTSH-në

Arben Rrozhani

Një zonjë dhe artiste e nderuar, me shumë vite përvojë në RTSH, më ndaloi dje në trotuar dhe më pyeti: Si thua të aplikoj për vendin vakant të drejtorit në RTSH? Përgjigjja ime ishte shkurajuese. E para, se, në përgjithësi, njoftimet e institucioneve shtetërore, rëndom janë një detyrim ligjor për tu publikuar në mediat më të mëdha të vendit, dhe kjo, ndoshta do të thotë se fituesi është paracaktuar, siç ka ndodhur, jo vetëm me këtë qeveri 19-mujore. E dyta, dhe më e rëndësishmja, RTSH-ja nuk ka nevojë për një drejtor të ri, sepse aty është kolegu Martin Leka, që i përshtatet atij manuali me të cilin ka funksionuar dhe funksionon.

RTSH-ja, ndoshta më shumë, ka nevojë për një mënyrë të re funksionimi, e cila nuk shkon në të njëjtën rrjedhë me planin e qeverisë që të “ribëjë” edhe këtë institucion të rëndësishëm mediatik, vetëm duke ndërruar titullarin. Zonja në fjalë iku e mërzitur, por ndoshta edhe e bindur: Nuk do të aplikojë sipas thirrjes publike të bërë nga RTSH-ja, duke i kursyer vetes poshtërimin në një proces që duket që në fillim i kompromentuar, edhe pse, në sipërfaqe, është “politikisht korrekt”. Po mundohem të sqaroj ato çka zonja nuk deshi t’i dëgjonte, edhe pse kishte informacione të hollësishme për mënyrën se si (nuk) ka funksionuar RTSH-ja, gropat e saj financiare, lidhjet e dyshimta dhe kompromentuese që i kanë dhënë dërrmën financave dhe aseteve të gjigandit mediatik shqiptar që prej vitesh është një kufomë.

Një kufomë që po e hanë krimbat, si ai krimbi që ngriti kokën mbi gjethen e sallatës jeshile, pak ditë më parë në studion e RTSH-së, ku po jepej programi i gatimit dhe që kuzhinierja e ekzekutoi publikisht, duke e shtypur me mes të pjatës, me gjysmën e domates. Një kufomë e pakallur prej gati 25 vitesh që ka ngrënë paratë e buxhetit të shtetit, paratë tona, dhe që ne e kemi injoruar sikur të mos kishim pjesë në të, në vend që të bëheshim pak theçeristë dhe të bërtisnim ditë-natë: “Dua paratë e mia mbrapsht!”. Gjendja në RTSH mund të jetë edhe më e rëndë se sa e thotë raporti i një viti më i parë i KLSH-së, në korrik 2014, që zbuloi një pjesë të vogël të problematikës së RTSH-së, institucion i cili, ligjërisht, duhet të mbyllë procesin e kalimit nga transmetimi analog në atë digjital deri më 15 qershor 2015. Një sfidë që është e humbur.

Modeli grek për median-shushunjë?

Zgjidhja? Pse të mos kopjojmë modelin grek? Ne jemi edhe më në krizë se Greqia, e cila në 11 qershor 2013 vendosi që të mbyllë televizionin shtetëror ERT. Vendimi i paprecedentë i ndërmarrë nga ish-kryeministri Andonis Samaras parashihte pushimin nga puna të 70 për qind të stafit prej 2900 punonjësish. Vendimi, megjithatë, zgjati vetëm dy vite, sepse në 29 prill 2015, Parlamenti i Greqisë, miratoi me shumicë votash projektligjin për rihapjen e tij, si një lëvizje simbolike e qeverisë “Tsipras”, e cila e ka pasur rihapjen e televizionit shtetëror një prioritet kryesor, pasi mbyllja e tij është konsideruar një plagë e madhe për demokracinë. ERT-ja, me një buxhet prej 300 milionë eurosh në vit, kryesisht në bazë të një takse mujore për çdo familje, u zëvendësua me një kanal shumë më të vogël televiziv, NERIT.

Çfarë do të ndodhte nëse qeveria “Rama” do të mbyllte RTSH-në, (asnjë besim se do të ndodhë) sipas përvojës jetëshkurtër greke? Do të kallej një kufomë që po e hanë krimbat publikisht dhe që vetëm po gëlltit paratë tona. Do të dilnin pa punë punonjësit? Të mos ua qajmë hallin, sidomos kastës drejtuese. Atë në RTSH e kanë punë të fundit, se hanë në disa “çanakë” privatë, pasi kanë zhvatur dhe njollosur emrin e nderuar të institucionit shtetëror, kanë trafikuar rolin e mediabërësit, duke vënë tarifë për çdo kronikë që bënin, një model i shëmtuar që turpëron median e ndershme në vend. Si ai gazetari që u fut në punë korrespondent rrethi duke i nisur drejtorit çantat me ushqime në kohë talloni, e që sot ka prona brenda dhe jashtë vendit, apo si ai kameramani që ka dy vite që më merr në telefon për t’i dhënë një filmim të vitit 2000 në Moskë Koço Kokëdhimës, por që zhduket sapo i thua ta sjellë dhe ta shohim çfarë është pastaj të marrë edhe paratë që kërkon dhe nuk kërkon pak, edhe pse e ka bërë me mjetet e RTSH-së.  Shqiptarët brenda apo jashtë kufijve nuk e kanë më si pikë referimi RTSH-në, siç ishte dikur, duke blerë sa frengu pulën paketat e privatëve, të cilët edhe pse me stafe dhe buxhete më të reduktuara kanë ditur të jenë shumë më lart konkurues se sa një institucion shtetëror që ekziston vetëm për të bërë, me allishverishet e një bande të mirëorganizuar, që flet në emër të artit, festivalin e fundvitit, i cili degjeneron në një sherrnajë mitmarrjeje.

Një han luksi

Le tu referohemi shifrave që ofron vetë RTSH-ja për vitin 2014, nëse i duhet besuar një institucioni pa pikë besueshmërie në publik. RTSH ka patur në vitin 2014 rreth 23 miliardë lekë të vjetra, të ardhura, nga të cilat 13 miliardë lekë janë vetëm ato 100 lekëshat që paguajmë për çdo muaj në faturat e energjisë elektrike me detyrim, edhe pse kurrë nuk shohim apo dëgjojmë RTSH-në, ndërsa buxheti i shtetit i ka dhënë vjet RTSH-së 3,57 miliardë lekë të vjetra. Si janë shpenzuar këto fonde? Nga totali prej rreth 14 miliardë lekësh, më shumë se gjysma (7.3 miliardë kanë shkuar për  paga, shpërblime dhe pagesën e sigurimeve shoqërore, 430 milionë janë bërë lëndë djegëse etj, 1.8 miliardë shkuan për projekte filmike, artistike të llojit të festivalit të fundvitit që na dhuroi një këngë fituese, e cila u anulua për tu zëvendësuar me një tjetër këngë që na renditi të 17-ët në Eurosong.

Rreth 1.9 miliardë lekë janë harxhuar për energji elektrike, ujë, telefoni, apo ruajtje fizike. Është e dhimbshme që për vitin e shkuar janë harxhuar me tepër fonde për udhëtime dhe dieta (660 milionë lekë të vjetra) apo për honorare, pritje dhe përcjellje (360 milionë lekë), se sa për investime (700 milionë lekë). Sipas auditimit të KLSH-së, “administrata është e fryrë me 30 për qind më tepër punonjës, me dublime departamentesh dhe funksionesh. Struktura organizative pëson ndryshime të herëpashershme, të pajustifikuara, shoqëruar me ndryshime emërtesash, ndryshime kategorish dhe ndryshime në librin e pagave.

Për rrjedhojë, institucioni vuan nga keqmenaxhimi i burimeve njerëzore”. E megjithëse me një fond kolosal që mbushet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, apo granteve të huaja, siç është ndihma kineze, sipas KLSH-së, RTSH ka një shtrirje gjeografike të kufizuar të prezencës së stafit të saj dhe për rrjedhojë mundësi të kufizuar për pasqyrimin i informacioneve në kohë reale nga vendngjarja. Sipas raportit, mungesa e planeve konkrete për mënjanimin e situatës në të ardhmen, do të ndikojnë negativisht audiencën dhe konkurrueshmërinë e RTSH pas përfundimit të projektit teknologjik të digjitalizimit (pas shtimit të kanaleve). Vendimmarrja për miratimin e projekteve artistike është arbitrare dhe e përqendruar vetëm në RTSH, duke lënë shpesh jashtë strukturat vartëse. Vijimi apo ndërprerja e emisioneve të strukturës dhe cikleve tematike nuk diktohet nga cilësia, por nga interesat dhe “shijet” subjektive të titullarëve të RTSH-së.

Vendimet e Bordit artistik të RTSH (dikur Bordi artistik i TVSH) janë shpesh të kontestuara, pasi reflektojnë arbitraritet, subjektivitet titullarësh, cilësi të diskutueshme dhe mungesë transparence. Projektet artistike të miratuara nga RTSH-ja reflektojnë mosshpërndarje proporcionale të tematikave dhe shërbejnë si mjete përfitimi financiar për të privilegjuarit e administratës së RTSH. Po kështu edhe vendimmarrja për mbështetjen (si bashkëprodhues) të projekteve artistike (kryesisht filmike) të të tretëve. Për rrjedhojë, buxheti i projekteve artistike në RTSH shpenzohet në mënyrë joekonomike, joefektive dhe jo në përputhje me i nteresat publike. Pa projekte artistike cilësore dhe me varietet tematik që të tërheqin audiencën, RTSH nuk mund të bëhet konkurrenciale në tregun mediatik dhe shfrytëzojë të gjitha përfitimet që i sjell projekti i digjitalizimit.

Por krimi më i madh, përveç varrosjes së një të shkuare historike, edhe pse në kushtet e partisë-shtet, deri në vitin 1990, është trafikimi dhe zhdukja e arkivës së radios së themeluar në vitin 1938 dhe televizionit të krijuar në 1960. Në arkivën e RTSH janë shkaktuar dëme të mëdha nëpër vite, si nga përdorimi i tij pa kriter nga dy përdoruesit e tij kryesorë TVSH dhe Radio Tirana, ashtu edhe nga keqmbajtja abuzive e fondit. Asnjë nga parametrat fizikë të kërkuar nuk ekziston dhe nuk plotësohet. Kur KLSH-ja shkoi vjet për kontroll, grupit të auditit nuk iu dorëzua zyrtarisht asnjë plan tekniko-financiar i dokumentuar për shpëtimin dhe digjitalizimin e arkivës 50-vjeçare të RTSH dhe ekziston frika se nuk ka se çfarë të shpëtohet më.

Puna e parë që duhej bërë duhet të ishte zbarkimi i antikrimit ekonomik, një auditimi me rrënjë dhe me degë, që të vinte para drejtësisë ata drejtues që “zhdukën” studiot lëvizëse të dhuruara nga donatorët, arkivën e vyer që e sheh sot në televizionet private, rrënimin financiar dhe njerëzor të një institucioni të nderuar, që sot e turpëron qeverinë edhe pse nga 30 minuta lajme, 35 i ka për të, duke mbetur me servilizëm si ekrani i kohës së Berishës, por që nuk mund të jetë televizioni publik i shqiptarëve.

 

 

 

Lini një koment