S’ka pakt për bordin e RTSH, Pollo: shpresojmë para statusit

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit është shtyrë sërish në kohë, pasi maxhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur konsensus për formulën me anë të së cilës do të bëhet përzgjedhja e 10 kandidaturave fituese. Mungesa e konsensusit ka bërë që çështja e plotësimit të Bordit të RTSH-së të mbetet jashtë kalendarit të punimeve në Komisionin e Medias. Kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo, është shprehur se kjo çështje do të mbesë jashtë kalendarit për sa kohë që mes maxhorancës dhe opozitës nuk ka konsensus për formulën se si do të zgjidhen kandidaturat. Pollo ka ironizuar duke thënë se shpresonte që kjo çështje të zgjidhej para marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, përsëri pa arritur një marrëveshje paraprake, përsëritja e mbledhjes do të çojë në të njëjtin rezultat dhe në debate të kota. Më mirë ta lëmë përcaktimin e një date kur të arrijmë një marrëveshje që unë shpresoj të ndodhë jo thjesht para statusit, por shumë kohë para marrjes së vendimit për statusin. Megjithëse nuk ka fare lidhje me këtë proces”, tha Pollo. Ndërkohë që për këtë çështje deputetët e maxhorancës dhe opozitës kanë vijuar debatin për procesverbalin e mbledhjes së shkuar, për të cilën maxhoranca vazhdon të akuzojë opozitën se e ka manipuluar. Nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, tha se zbardhja e këtij procesverbali është bërë në mënyrë të cunguar për të fshehur marrëveshjen e arritur disa javë më parë. Në mbledhjen e shkuar, socialistët hodhën idenë për të ndjekur penalisht dhe punonjësit e Kuvendit që kanë ndërhyrë në procesverbalin e mbledhjes. Por, për këtë çështje anëtari i Komisionit të Medias, Bedri Hoxha, propozoi një vendim në të cilin theksohej se deputetët e maxhorancës në komision distancohen nga akuzat për të dënuar punonjësit e Kuvendit për akuzat për manipulim të procesverbalit. Gjatë diskutimit në komision, deputetët caktuan datën 13 mars për të dëgjuar raportimin vjetor të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Sipas Pollos, për këtë mbledhje mund të organizohen dhe seanca dëgjimore me operatorët mediatikë në treg, ndërsa për deputetin socialist Fatmir Toçi, kryetarja e AMA-së, Endira Bushati, është e jashtëligjshme pasi i ka përfunduar mandati. “Ajo e paligjshme është, e pamandatuar”, theksoi deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, gjatë diskutimit pa mikrofon

Lini një koment